Këtë të hënë, një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari, ndodhi në Mengël të Elbasanit. Burime nga policia bëjnë me dije se fëmija është përplasur pranë shkollës ku ai studionte.
Shkaktari i aksidentit dyshohet regjisori dhe producenti Petri Bozo, djali i ish-deputetes së PS-së, Luljeta Bozo, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime.
Të lidhura
Bozo, në deklarimet e para, gjatë shoqërimit të tij në Komisariat, ka thënë se po qarkullonte brenda kufijve të shpejtësisë së lejuar në një rrugë nacionale.
Një nga dëshmitarët e ngjarje ka deklaruar për News24, se autori pretendonte se ka qenë duke lëvizur me vetëm 10 kilometra në orë.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha; jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h””, sqaroi banori i zonës, ndërsa shton se rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje dhe se edhe më parë kanë ndodhur aksidente.
“Fëmijën e ka nxjerrë një çun me shumë kujdes, ndërsa shoferi thoshte që unë jam në rrugë nacionale, kam të drejtën time. Ai thoshte që kam qenë me 10 km në orë. Edhe një herë tjetër ka ndodhur në të njëjtin vend dhe po një fëmijë është shtypur. Rruga në këtë lagje është bërë shumë e rrezikshme”, është shprehur banori.

