PËRMBYTJET ‘PARALIZOJNË’ KOSOVËN/ Al Jazeera dhe Reuters ndajnë pamjet

Përmbytjet e rënda që kanë përfshirë Kosovën kanë marrë vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare.

Al Jazeera dhe Reuters kanë publikuar pamje dramatike nga zonat e prekura, ku shihen shtëpi dhe rrugë të tëra nën ujë, qytetarë që evakuohen me varka dhe ekipe emergjente që punojnë pa ndërprerë.

Në fshatin Kuzmin, afër Prishtinës, ekipet e shpëtimit ndërhynë për të evakuuar një familje me një fëmijë të vogël, pasi uji kishte përmbytur plotësisht shtëpinë e tyre. Situata të ngjashme janë raportuar në shumë komuna të vendit.

Një nga zonat më të goditura është edhe komuna e Drenasit. Reshjet e mëdha të shiut dëmtuan shtëpi, rrugë dhe ura, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme të banorëve.

Nexhmedin Gruda, drejtori i emergjencave në Drenas- “Me krahasu me ditën e djeshme, sot situata duket të jetë më e qetë, mirëpo me vazhdimin e shirave që parashihen, sigurisht se do të vazhdojë situata e vlerësimit. Rruga dhe ura janë dëmtuar në rrugën për në Dobroshevc; aty është problemi më i madh i qarkullimit.”

Autoritetet komunale kanë nisur ndërhyrjet për uljen e nivelit të ujit, ndërsa nga dita e nesërme do të funksionalizohen dy komisione për vlerësimin e dëmeve në familje dhe biznese.

Ndërkohë, familje të shumta janë strehuar te të afërmit e tyre, ndërsa shërbimet emergjente vazhdojnë monitorimin e situatës, pasi parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje të tjera në ditët në vijim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përkatëse, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me një nga situatat më të rënda të përmbytjeve të viteve të fundit.


Shtuar 8.01.2026 15:15