Kanë përfunduar homazhet në Kuvend, në nder të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme (18 Shtator).
Ceremonia e dhënies së lamtumirës së fundit të ish-deputetit demokrat, u organizua në Parlamentin e Shqipërisë. Arkmorti me trupin e tij të pajetë mbërriti në Kuvend rreth orës 10:00.
Familjarë, miq, kolegë dhe politikanë nga të dyja kahet politike, i dhanë lamtumirën e fundit ish-politikanit të ndjerë.
Pas përfundimit të homazheve, rreth orës 12:50, Gerti Bogdani, u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës.
Seanca parlamentare që ishte programuar të niste të enjten në orën 10:00, është shtyrë në orën 17:00.
Ndërkohë, Partia Demokratike, njoftoi se në nder të Gert Bogdanit, ka shpallur të enjten ditë zie dhe për rrjedhojë ka pezulluar të gjitha aktivitetet partiake në të gjithë vendin.
“Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024. Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD.
Bogdani ndërroi jetë në moshën 44 vjeçare pas një arresti kardiak.