Perëndimi përballet me rrezikun e ndarjes së Bosnjës

Analistët perëndimorë thonë se Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në vitin 1995, dhe shumë prej tyre dyshojnë se është ndërhyrja ruse dhe kineze që mund të sjellë dështimin e paktit që ka siguruar një paqe të brishtë për 25 vjet.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja e ndanë vendin ballkanik në Republikën Srpska të mbizotëruar nga serbët dhe një rajon të njohur si Federata, e mbizotëruar nga boshnjakët dhe kroatët. Të treja grupet etnike përfaqësohen në një presidencë trepalëshe.

Por Milorad Dodik, përfaqësuesi serb i presidencës, javët e fundit ka nisur procesin e tërheqjes nga institucionet e nivelit shtetëror dhe po kërcënon me shkëputjen e plotë nga ana e Republikës Serbe.

Lëvizje të tilla, përfshirë planin për transferimin e njëanshëm tek Republika Srpska të funksioneve të tilla si mbledhja e taksave dhe forcat ushtarake, janë një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Dejtonit në sytë e disa diplomatëve dhe ish-diplomatëve, zyrtarëve amerikanë dhe analistëve të intervistuar nga Zëri i Amerikës. Shumë druhen se këto veprime jo vetëm që kërcënojnë të zhbëjnë shumë arritje të pasluftës, por krijojnë gjithashtu gjasa për konflikte të reja dhe një ndarje të vendit.

“Bosnje-Hercegovina ka arritur të mbijetojë disi nga njëra krizë në tjetrën dhe të mbetet të paktën një demokraci gjysmë funksionale. Shqetësimi im është se këtë radhë Dodik po i çon gjërat shumë larg”, i tha Zërit të Amerikës Bruce Berton, një diplomat amerikan që drejtoi misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje-Hercegovinë në vitet 2015 – 2019.

Zoti Berton ishte gjithashtu zëvendës shef në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), një entitet ndërkombëtar i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Ndërsa Dodik pretendon se po rikthen funksionet që i janë marrë Republikës Serbe pa pëlqimin e saj, shumë prej tyre ishin miratuar nga parlamenti shtetëror me pjesëmarrjen e partive të Republikës Serbe.

“Duket disi si sjellje skizofrenike,” tha Paul McCarthy, drejtor i divizionit të Evropës në Institutin Republikan Ndërkombëtar, i cili vuri në dukje se vetë partia e Social Demokratëve të Pavarur të zotit Dodik (SNSD) i kishte mbështetur disa nga ato vendime.

Ndërsa ka njëfarë rezistence ndaj lëvizjeve të zotit Dodik nga partitë opozitare në Republika Srpska, zoti McCarthy tha se beson se lëvizjet e fundit janë inkurajuar nga Moska.

“Kjo është një mënyrë pa shumë kosto për Rusinë për të shkaktuarmosmarrëveshje dhe për të sabotuar Perëndimin, BE-në dhe pozicionin e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor,” tha ai.

Disa të intervistuar nga Zëri i Amerikës thanë se Kina dhe Serbia gjithashtu mund të përfitojnë nga kriza dhe shqetësohen se edhe Hungaria – një anëtare e BE-së – po e mbështet Dodikun.

Toby Vogel, një studiues në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, një institut kërkimor në Berlin, i sheh ngjarjet në Bosnje-Hercegovinë në kontekstin e përkeqësimit të marrëdhënieve midis NATO-s dhe Rusisë dhe përshkallëzimeve të tjera rajonale midis Serbisë dhe Kosovës dhe Malit të Zi.

“Më duket e vështirë ta besoj se këto janë thjesht një lloj manifestimi spontan pakënaqësish të brendshme”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Daniel Serwer, profesor në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, paralajmëron ndaj idesë së një “Botes Serbe”, e përhapur së fundmi nga politikanët serbë. Sipas zotit Serwerin, ky është thjesht një emër tjetër për konceptin nacionalist të një “Serbie të Madhe”, sipas së cilës të gjitha territoret ku jetojnë serbët do të bëheshin një vend i vetëm.

“Kjo do të thoshte shkatërrim i disa shteteve në Ballkan, do të thoshte luftë, do të thoshte vdekje, do të thoshte refugjatë. Dhe shtetet perëndimore duhet të jenë kundër një gjëje të tillë”, tha ai.

Bashkëpunimi mes Kinës dhe Rusisë

Në korrik, Këshilli i Sigurimit i OKB-së hodhi poshtë një rezolutë të paraqitur nga Rusia dhe Kina për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën. Të dy vendet pretenduan se emërimi i politikanit gjerman Christian Schmidt si Përfaqësues i Lartë nuk ishte i vlefshëm pasi nuk u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Zoti Schmidt u emërua në maj nga Këshilli i Zbatimit të Paqes (PIC), një organ ndërkombëtar që i ofron Përfaqësuesit të Lartë udhëzime politike. Vetëm Rusia e kundërshtoi vendimin. Këshilli i Sigurimit e diskutoi këtë çështje, por nuk votoi për të konfirmuar zotin Schmidt pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera pohuan se kjo nuk ishte e nevojshme.

Tani Moska, ashtu si zoti Dodik, refuzon të njohë zotin Schmidt si Përfaqësues të Lartë të OKB-së për Bosnjën.

Analistët kishin frikë se Rusia dhe Kina, në shenjë hakmarrjeje, mund t’i vinin veton nismës për zgjatjen e misionit ushtarak ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, i njohur si EUFOR, që ka ndihmuar në ruajtjen e paqes atje. Këshilli i Sigurimit, në fakt, miratoi mandatin e Forcës Ushtarake Evropiane (EUFOR) më 3 nëntor, por vetëm pasi vendet e tjera iu nënshtruan kërkesës së Rusisë dhe Kinës që zoti Schmidt të mos paraqiste një raport të pritshëm për Bosnje-Hercegovinën gjatë asaj seance.

Në raport, zoti Schmidt kishte shkruar se Bosnje-Hercegovina “përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës” dhe se autoritetet e Republikës Serbe, të udhëhequra nga Milorad Dodik, “rrezikojnë jo vetëm paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, por, nëse nuk ka reagim nga komuniteti ndërkombëtar, kjo do të mund të çonte në zhbërjen e vetë Marrëveshjes (së Dejtonit)”.

Shumë analistë perëndimorë u zemëruan me atë që ata e cilësuan si një shenjë dobësie nga Perëndimi.

“Është absolutisht e tmerrshme që (zoti Schmidt) nuk u lejua të fliste. Kjo e dëmton Zyrën e Përfaqësuesist të Lartë”, tha Tanya Domi, profesore në Fakultetin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Kolumbias, e cila në të kaluarën ka punuar për misionin e OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë.

Bruce Berton, ish-zëvendës Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën, tha se Kina dhe Rusia kanë synime të ndryshme në përpjekjen për të dobësuar Marrëveshjen e Dejtonit. Për Kinën, tha ai, Bosnje-Hercegovina është pjesë e planit të saj më të madh për të zgjeruar ndikimin e saj në botë, kryesisht përmes përpjekjeve ekonomike si nisma e saj “Një Brez Një Rrugë”.

Si do të veprojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian?

Shumica e të intervistuarve nga Zëri i Amerikës bien dakort se një angazhim më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për uljen e tensioneve, në veçanti pasi zgjerimi i BE-së, dikur motivimi kryesor për ruajtjen e paqes dhe zbatimin e reformave, tashmë është një proces pothuajse i ndalur.

Disa të dërguar amerikanë kanë vizituar rishtazi Bosnjë-Hercegovinën, ndër ta edhe Gabriel Escobar, përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, si dhe Derek Chollet, këshilltar i lartë për politikat e këtij departamenti. Ata konfirmuan mbështetjen amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe kritikuan veprimet e njëanshme të zotit Dodik.

Megjithatë, disa analistë mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë fokusuar tek reformat elektorale dhe ekonomike, ndërkohë që Bosnjë-Hercegovinës i kanoset një tjetër rrezik shumë më i madh.

Zonja Domi, profesore në Universitetin e Kolumbias, mendon se Perëndimi nuk po i merr seriozisht veprimet e zotit Dodik. “Më shqetëson thellësisht që të gjithë duket se mendojnë se ‘do ta përmbysim këtë retorikë dhe situatën’. Dhe është e qartë se zoti Dodik po e shton këmbënguljen e tij”, thotë ajo.

Zoti Vogel thotë se sjellja destruktive është lejuar prej kohësh.

“As Shtetet e Bashkuara dhe as BE-ja nuk kanë reaguar ndaj sulmeve gjithnjë në rritje ndaj unitetit të Bosnjë-Hercegovinës gjatë viteve të fundit”, thotë ai.

Zoti Escobar ka thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të “përdorin në mënyrë agresive” sanksionet ndaj politikanëve në Bosnjë, por deri më tani nuk janë ndërmarrë veprime konkrete. Në vitin 2017, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj zotit Dodik, për bllokim të Marrëveshjes së Dejtonit, por BE-ja nuk iu bashkua ndonjëherë kësaj mase. Disa vende, si Gjermania, po shqyrtojnë tashmë vendosje të sanksioneve nga ana e tyre./VOA


Shtuar 29.11.2021 22:25