Evan Gershkovich ka rrëfyer se si u arrestua në Rusi, duke deklaruar se e kuptoi menjëherë se gjithçka ishte organizuar si një kurth dhe se çështja ndaj tij synonte ta kthente në peng të një përplasjeje më të gjerë politike.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për emisionin “Today” të Radio 4, gazetari amerikan tregoi se ndodhej në Jekaterinburg në mars të vitit 2023, ku mendonte se do të takohej me një burim për një shkrim, kur u ndalua nga agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).
Ai tha se ishte ulur në një restorant kur në ambient hynë rreth gjashtë burra të maskuar dhe iu drejtuan tavolinës ku qëndronte.
Sipas Gershkovichit, ata i thanë: “Mendoj se e rezervuam atë tavolinë”.
Edhe pse në atë çast situata iu duk e pazakontë, gazetari tha se, duke e parë më vonë, kuptoi se mënyra e ndërhyrjes ishte menduar posaçërisht për ta lënë pa mundësi reagimi.
Pak çaste më pas, ai u njoftua se ishte arrestuar nga FSB-ja dhe se akuzohej për spiunazh.
“Në atë moment kupton se bëhet fjalë për diçka jashtëzakonisht serioze. Kur përfshihet FSB-ja, e di se gjithçka është planifikuar”, u shpreh ai.
Një element tjetër që, sipas tij, e ndihmoi të kuptonte natyrën e ndalimit ishte fakti se nuk iu nënshtrua marrjes në pyetje dhe as torturës.
Gershkovich tha se kjo e bëri të mendonte se autoritetet nuk po e trajtonin si një agjent të mirëfilltë të huaj, por si dikë që mund të përdorej në një marrëveshje të ardhshme.
“Më futën në kurth dhe e sajuan këtë çështje që unë të shërbeja si një peng me vlerë, si një gur shahu në një lojë më të madhe”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, ky përfundim i solli edhe një lloj lehtësimi, pasi besonte se burgosja e tij nuk do të zgjaste për dekada.
Arrestimi i Gershkovichit ndodhi më 29 mars 2023, kur ai punonte si korrespondent i “The Wall Street Journal” në Moskë. Në Rusi kishte jetuar që prej vitit 2017.
Në korrik 2024, një gjykatë ruse e shpalli fajtor për spiunazh dhe e dënoi me 16 vjet burg. Gershkovich dhe “The Wall Street Journal” i kanë hedhur poshtë akuzat, ndërsa qeveria amerikane i ka cilësuar ato si të pabazuara.
Pas rreth 16 muajsh në paraburgim, ai u lirua në gusht 2024, si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë për shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë, SHBA-së, Gjermanisë dhe vendeve të tjera.
Në të njëjtin shkëmbim u lirua edhe ish-marinsi amerikan Paul Whelan.
Ndër personat që u kthyen në Rusi ishte Vadim Krasikov, shtetas rus që po vuante dënimin e përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një ish-komandanti çeçen në Berlin.
Gershkovich tregoi se, gjatë qëndrimit në burg, kishte menduar se një shkëmbim i tillë mund të ishte rruga përmes së cilës do të fitonte lirinë.
Ditën kur u arrestua, ai gjendej në Jekaterinburg, rreth 1,600 kilometra në lindje të Moskës.
Gazetari kishte udhëtuar atje për të mbledhur të dhëna për një artikull dhe ishte takuar me një person që e konsideronte si burim të mundshëm.
Ai tha se personi me të cilin po zhvillonte takimin u zhduk mes turmës sapo agjentët e FSB-së ndërhynë.
Ndalimi i tij provokoi reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Organizata mediatike dhe institucione politike në SHBA, si edhe në vende të tjera, kërkuan lirimin e gazetarit.
Presidenti amerikan i atëhershëm, Joe Biden, deklaroi se kthimi i Gershkovichit në shtëpi përbënte një nga prioritetet e tij më të rëndësishme.
