Përcillet për në banesën e fundit aktori i madh Mirush Kabashi

Aktori i madh Mirush Kabashi është përcjellë për në banesën e fundit, pasi u mbajtën disa orë homazhe për të.

Që nga ora 10:00 deri në 13:00, në nder të tij, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvilluan homazhet, ku në shenjë respekti për aktorin, morën pjesë artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Kabashi, artist i merituar, do të prehet në varrezat e Sharrës.

Kujtojmë që Mirush Kabashi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë.

Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi I Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”


Shtuar 6.12.2023 13:27