Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Afganistan ku një 9 vjeçare është shitur nga familja si nuse te një 55 vjeçar.
Mediat e huaja bëjnë me dije se në fjalën e saj e mitura Parwana Malik ka thënë se familja e saj është detyruar që ta shesë te një 55 vjeçar, që për të është një plak me vetulla të bardha dhe me mjekër të bardhë e të trashë, derisa thotë se shqetësohet se ai do ta rrahë dhe do ta detyrojë të punojë në shtëpinë e tij.
Ndërkohë prindërit e Parwanës thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.
Për katër vjet, familja e saj ka jetuar në një kamp zhvendosjeje afgane në provincën veriperëndimore Badghis, duke mbijetuar nga ndihma humanitare dhe puna e varfër duke fituar disa dollarë në ditë. Por jeta është bërë edhe më e vështirë që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan më 15 gusht.
Derisa ndihma ndërkombëtare thahet dhe ekonomia e vendit shembet, ata nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat bazë sikurse ushqimi. Babai i Parwanës tashmë e ka shitur edhe motrën e saj 12-vjeçare disa muaj më parë.
Parwana është një nga shumë vajzat e reja afgane të shitura për martesë derisa kriza humanitare në vend thellohet. Uria ka shtyrë disa familje të marrin vendime të rënda, veçanërisht kur po afrohet edhe dimri brutal.
Babai i Parwanës u përpoq që ta shmangte këtë vendim të fundit derisa udhëtoi për në kryeqytetin provincial Qala-e-Naw për të kërkuar punë pa sukses, madje duke marrë hua “shumë para” nga të afërmit dhe gruaja e tij iu lut banorëve të tjerë të kampit për ushqim.
Por ai ndjeu se nuk kishte zgjidhje nëse dëshiron të ushqejë familjen e tij.
“Ne jemi tetë anëtarë të familjes”, ka thënë ai për CNN. “Duhet të shes për të mbajtur gjallë anëtarët e tjerë të familjes”.
Nga ana tjetër 55 vjeçari që bleu të miturën ka theksuar se marrëveshja nuk është për martesë, pasi ai e kishte një grua e cila do të kujdesej për Parwanën sikur të ishte njëra prej fëmijëve të tij. /abcnews.al