Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, sot në pension, tha se Qeveria po bën çmos për të rritur prestigjin dhe mbështetjen për Policinë e Shtetit.
Rama tha se gjithashtu po bëhet çmos për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e pagave të trupës së Policisë së Shtetit.
Duke u ndalur te pensionet, Rama tha se këtë vit pensionistët po marrin një bonus shumë më të madh se ai i mëparshmi.
Kryeministri e konsideroi këtë si detyrimin e parë ndaj pensionistëve, ndërsa theksoi se sot kemi mundësinë për një qasje të re ndaj pensionistëve.
“Kjo qasje e re do jetë në dy drejtime: nga njëra anë për rishpërndarjes së një pjese të të ardhurave.
Jemi në procesin e rritjes së fondit të pensioneve. Sot ekonomia po na i krijon këto mundësi”, tha Rama.
Duke ironizuar premtimet e opozitës, por edhe forcave të reja politike, që pritet të konkurojnë në zgjedhjet e 11 majit me alternativat e tyre, përsa i takon rritjes së pensioneve, Edi Rama tha se këta që ju thonë do ju bëjmë pensionet nga 500 euro dhe pagën minimale 1000 euro shesin qylyma fluturues si ato të Sudes dhe Rrapushit
“Nga vlerësimi i fundit i INSTAT, paga mesatare rezultoi më e lartë se ambicia jonë (900 euro) në sektorin publik.
Atje ku rritet një pagë ka një përfitim më shumë për pensionistët. Është shumë pozitive që sektori privat po ndjek të njëjtin trend, por përpjekja jonë po rritet gjithashtu. Kemi të ardhura të rritura ndjeshëm nga formalizimi dhe prurjet në fondin e Sigurimeve Shoqërore, që do të thotë se kemi të gjitha arsyet për të qenë optimist për të nesërmen”, theksoi Rama.
Duke iu referuar të pranishmëve, Rama tha se ju jeni një kategori e shërbëtorëve të këtij shteti që meritoni një sajdisje të veçantë.
“Nuk ka kategori tjetër të shërbëtorëve të shtetit që numëron brenda rradhëve të tyre, njerëz që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Janë 227 dëshmorë brenda uniformave blu, një numër që korrespondon me periudhën e demokracisë. Pak më shumë se një dekadë më parë, Trupat e Policisë, e humbnin jetën si diçka që ishte pjesë e punës.
Nuk harroj dot kohën, atëherë në opozitë, ne shkonim herë pas here, tek shtëpia e SHQUP, tek godina e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve, për të bërë homazhe. Dhe aty mblidheshin drejtuesit e policisë, kolegë, shokë të atyre që kishin rënë në krye të detyrës. Dhe kjo e bën më të madhe detyrën tonë për të qenë falënderues ndaj gjeneratës tuaj që shërbyen në kushte të vështira, në kushte kur policia e shtetit ishte e tradhëtuar nga vetë shteti”, theksoi Rama.