Jorida Tabaku, kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, ka bërë publike procedurat që janë ndjekur për Inceneratorin e Elbasanit. Në dokumentet e publikuara nga PD jepen hapat dhe kontratat që janë nënshkruar nga qeveria e kohës.
Ndër të tjera në këto sqarohen edhe procedurat e abuzime dhe përfshirjen e Arben Ahmetajt në aferën e Elbasanit.
Në dokumentet e publikuara është dhe reagimi që ish ministri i Financave Shkwlqim Cani ka bërë ndaj kolegut të tij ish-ministrit Lefter Koka që është arrestuar në lidhje me këtë aferë korruptive.
Cani ka kërkuar më shumë dokumente dhe saktësi në lidhje me këtë projekt dhe pse në qershor të 2014 është detyruar që ta firmosë këtë akt.
“Korespodenca e ish – ministrit Lefter Koka me ish – Ministrin Shkëlqim Cani, ne përmes Komisionit të Dhënies me Koncesion të Inceneratorëve. Koka i kërkon Canit, miratimin e vlerës financiare të inceneratorit. Ndërkohë që Shkëlqim Cani i kthen një përgjigje Lefter Kokës ku i rreshton mangësitë që ka oferta e kompanisë në pronësi të Stela Gugalljas.
Në letrën e gjatë, Shkëlqim Cani nënvizon “mungesën e një vlerësimi financiar të domosdoshëm”, kundërshtinë e ministrit Cani për procedurën e negocimit pa shpallje dhe mungesën e statusit juridik të shoqërisë.
Por, ministri Cani do të detyrohet të firmosë në një mënyrë apo në një tjetër në 10 dhjetor 2014 ndonëse me shumë rezerva sikurse shihet në shkresën e tij drejtuar ish kolegut të tij Koka.
Dy ditë më vonë Komisioni i dhënies me koncesion të Inceneratorëve shpall fitues në një garë pa garë, kompaninë e Stela Gugalljas.
Ndërsa ministrat Koka dhe Cani ishin në një debat në lidhje me dhënien me koncesion/PPP të inceneratorëve kompania në pronësi të bashkëshortes së Mirel Mërtirit, administratorja e Albtek Stela Gugallja, zhvillonte takime me Ministrinë e Mjedisit.
Dokumentat që ka Komisioni Hetimor i Inceneratorëve tregojnë një shkresë se si Stela Gugallja i ka paraqitur ofertën prej 21.661.000 eurove pa TVSH Ministrisë së Mjedisit. Pikërisht këtë vlerë buxheti i shtetit dhe qytetarët shqiptarë e kanë paguar për një incenerator që nuk punon i plotë”, thuhet në deklaratën e PD-së.