Ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi ditën e sotme kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për Bashkinë e Dibrës, Premtim Kryemadhi.
Nga ana tjetër Partia Demokratike shpreh rezerva për Kryemadhin, duke hedhur një lum akuzash ndaj tij përmes një videoje.
PD thotë se dibranët e dinë mirë se bashkëshortja e Kryemadhit, Belina Zeneli, prokurorja që kishte në dorë dosjen 184 nuk i çoi para drejtësisë ministrat e Ramës që shantazhuan dibranët për të marrë vota.
“Kandidatët e Shtëpisë së Ilirit, nuk përfaqësojnë demokratët. Ata përfaqësojnë korrupsionin që po e mban peng Shqipërinë.
Dibranët e dinë mirë se si gruaja e kandidatit të Shtëpisë së Ilirit, nuk çoi para drejtësisë ministrat dhe zyrtarët e Edi Ramës që blenë dhe shantazhuan dibranët për vota.
Demokratët dhe qytetarët dibranë, janë poshtëruar nga Berisha dhe Meta, të cilët përzgjodhën si kandidat pikërisht burrin e prokurores Belina Zeneli, e cila përveç Dosjes “184”, nuk i ka dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk ka kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime të bëra nga qytetarët dibranë, duke i lënë ata pa drejtësi për hallet e tyre.
Demokratët dhe qytetarët dibranë nuk mund të pranojnë kurrë njerëz të tillë. Ata e dinë se nëse zgjedhim Berishën dhe Metën, mbajmë Ramën”, shkruan PD./albeu.com/