Partia Demokratike: Ministria e Arsimit ka braktisur nxënësit dhe mbron zyrtarët e saj të paaftë e të korruptuar

Ditën e sotme, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, tha se Ministria e Arsimit ka vendosur të braktisë qindra nxënës e prindër, dhjetëra mësues dhe të mbrojë zyrtarët e saj të paaftë e të korruptuar.

Sula deklaron se Ministria e Arsimit dhe Sportit, vijon të heshtë për skandalin ‘Klea Rama’, ashtu siç ka heshtur:

-për rrënimin e cilësisë së arsimit

-për braktisjen e shkollës nga nxënësit

-për zhbërjen e profesionit të mësuesit

-për mosfinancimin e arsimit

-për rrënimin e infrastrukturave shkollore

-për degradimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore

-për politizimin e drejtimit të institucioneve

-për shthurjen e sigurisë në shkolla

“Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon të heshtë edhe për skandalin e projektit fantazmë Let’s talk together about US 2024.

Në këtë skandal të radhës e të njohur si rasti ‘Klea Rama’, Ministria, në kundërshtim me çdo përgjegjësi dhe detyrim ndaj publikut, zgjedh të braktisë qindra nxënës, dhjetëra mësues, prindërit dhe të mbrojë zyrtarët e saj, militantë, të paaftë e të korruptuar.

Partia Demokratike në monitorim të këtij skandali, denoncon me forcë synimin e ministrisë për të ekspozuar si fajtorë mësues të veçantë, të cilët vetë i caktoi si koordinatorë dhe vetë i trysnoi dhe i detyroi të zhvillonin këtë skemë mashtrimi dhe korrupsioni.

Znj. ministre, heshtja dhe mosreagimi juaj ndaj shkeljes që zv. ministrja dhe zyrtarë të tjerë drejtues i bënë Urdhrit të MAS nr. 634, datë 25.10.2022, ‘Për ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të organizatave/shoqatave joqeveritare dhe individëve që kërkojnë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në fushën e arsimit parauniversitar’, tregon papërgjegjshmërinë ose përfshirjen tuaj në këtë skemë mashtrimi të nxënësve tanë!

Znj. Manastirliu dhe znj. Guga!

A jeni të vetëdijshme dhe kush mban përgjegjësi për zhgënjimin, traumën dhe pasojat që ky mashtrim i strukturuar ka krijuar te nxënësit dhe prindërit e përfshirë në këtë pseudo projekt?

A jeni të vetëdijshme për nivelin qesharak ku i keni katandisur institucionet qendrore dhe ato vendore të përfshira në këtë skandal?

A keni përgjegjësi ndaj mësuesve, koordinatorëve, drejtuesve të shkollave, të cilët administrata juaj i detyroi të punonin për disa muaj dhe me orë të tejzgjatura dhe sot i kërcënoni që të mbyllin gojën?!

Përtej zezonave që i keni shkaktuar arsimit dhe edukimit të fëmijëve, edhe ky rast është i mjaftueshëm për dorëheqjen tuaj dhe ndjesën që u detyroheni nxënësve, prindërve dhe mësuesve që i mashtruat në projektin ‘Klea Rama’.

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Partia Demokratike, siç e ka publikuar në programin për arsimin, zotohet për ndalimin e katastrofës që solli rilindja dhe rikthimin e arsimit në vlerat, dobinë dhe në interesin më të mirë të nxënësve, të mësuesve dhe të familjeve tona. Garancia më e madhe për këtë, janë pikërisht mësuesit dhe nxënësit tanë të talentuar!- shprehet Lili Sula.


Shtuar 6.08.2024 13:23