Parisi u thotë lamtumirë skuterëve elektrikë, ndalon monopatinat nga 1 shtatori

Parisi u thotë lamtumirë skuterëve elektrikë. Në fakt, heqja e 15 mijë mjeteve të aksesueshme lirisht është duke u zhvilluar dhe nga 1 shtatori do të bëhet kryeqyteti i parë europian që ndalon plotësisht këtë shërbim.

Operacioni po zhvillohet “me dhimbje”, sipas raportimeve të mediave vendase, pasi rrezikohen mbi 100 vende pune. Megjithatë, është një ndërhyrje e pritshme, pas rezultatit të referendumit qytetar që më 2 prill dekretoi fundin e epokës së skuterëve elektrikë.

Në votimin konsultativ të organizuar nga bashkia e qytetit në prill, pothuajse 90% e votuesve që shkuan në qendrat e votimit, që përfaqësojnë 7% të të regjistruarve për shkak të abstenimit të fortë, votuan pro ndalimit. Anne Hidalgo, kryetarja socialiste e Parisit, u zotua më pas të vendosë në zbatim rezultatin.

Tre operatorët Dott, Lime dhe Tier Mobility kanë afat deri në 31 gusht për të çliruar plotësisht kryeqytetin francez nga skuterët që do të transferohen në Bordeaux, Lille, Berlin, Londër, Tel Aviv, Kopenhagë dhe Belgjikë.

Skuterët elektrikë, të aksesueshëm nga telefonat inteligjentë përmes aplikacioneve, mbërritën në kryeqytetin francez në vitin 2018. Në vitin 2020, bashkia u përpoq të rregullonte përdorimin e tyre, duke kufizuar numrin e operatorëve të autorizuar në tre.

Këshilli i Qytetit të Parisit më pas inkurajoi hapur votuesit që të ndalojnë shërbimin për shkak të rritjes me 189% të aksidenteve që nga viti 2019, duke folur edhe për një klimë ankthi të krijuar në kryeqytet. Drejtuesit e lartë të tre kompanive të përjashtuara kritikuan vendimin duke thënë se Parisi është një përjashtim në territorin europian./albeu.com


Shtuar 25.08.2023 08:57