Papa Françesku për emigracionin: Mesdheu është djep qytetërimi, nuk duhet të bëhet varr

Papa Françesku përsëriti sot thirrjen e tij që të bëhet gjithçka që emigrantët të mos humbasin jetën duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun.

“Ëndrra dhe sfida është t’i mundësojmë Mesdheut të rikuperojë vokacionin e tij, i cili qëndron në të qenit një laborator qytetërimi dhe paqeje”, tha Françesku gjatë audiencës së përgjithshme javore të sotme.

“Mesdheu është djep i qytetërimit dhe djep i jetës. Fakti që është bërë varr nuk mund të tolerohet dhe as të jetë vend konflikti”, ka shtuar ai, përcjellë APE-MPE.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ka njoftuar se më shumë se 2,350 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur në Mesdhe këtë vit, shumica e tyre në pjesën qendrore midis Afrikës së Veriut dhe Italisë.

“Deti Mesdhe është krejtësisht e kundërta e përplasjes mes qytetërimeve, luftës, trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Papa.

“Është një mjet komunikimi midis Afrikës, Azisë dhe Evropës, midis veriut dhe jugut, lindjes dhe perëndimit, midis njerëzve dhe kulturave, popujve dhe gjuhëve, filozofive dhe feve”, nënvizoi ai.


Shtuar 27.09.2023 13:25