Osmani: Gara për kryetar në komunat me shumicë serbe u ndikua nga strukturat ilegale të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se gara për kryetar në komunat me shumicë serbe në Kosovë u ndikua nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë.

Ajo shtoi se këto struktura kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.

“Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Republika e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve. Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve”, thuhet nga Presidenca.

E misioni i BE-së e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve si demokratik e të karakterizuar me profesionalizëm të lartë dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Kosovës./albeu.com


Shtuar 18.10.2021 15:41