Organizoi transportimin e 7 emigrantëve që humbën jetën në aksidentin në aksin Këlcyrë-Përmet, arrestohet 24-vjeçari në kërkim

Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, uniformat blu kanë vënë në pranga 24-vjeçarin Stivljano Ndou, i cili organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit.

I ndaluari tentoi t’u ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte.

24-vjeçari, ishte i shpallur në kërkim nga blutë e Gjirokastrës, pasi ai organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 Maj në aksin “Këlcyrë-Përmet”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ndou, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.


Shtuar 2.07.2024 10:19