Opozita maqedonase: Disa deputetë të BDI dhe LSDM kanë dhënë sinjale për rrëzimin e qeverisë

Opozita në Maqedoninë e Veriut paralajmëron nismë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nisma e VMRO DPMNE-së pason refuzimin e kërkesës së saj nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), e kryeministrit Kovaçevski për zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2023.

VMRO DPMNE-ja nuk i ka numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve për rrëzimin e Qeverisë, por kryetari i saj, Hristijan Mickoski, tha se ka sinjale se nisma e saj do të mbështetet edhe nga deputetë të partive në pushtet.

“Unë kam sinjale nga disa deputetë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët vërtet mendojnë se kësaj Qeverie i ka ardhur fundi. Duhet të kemi një qeveri të zgjedhur nga populli, e cila do të jetë e aftë të përballet me sfidat, që po kalon vendi. Shpresoj se kësaj radhe nuk do t’i përdorin metodat nga e kaluara, për presion ndaj deputetëve pasi ata duhet t’i lënë të votojnë sipas bindjeve të tyre, të votojnë për mocionin e votëbesimit të kësaj qeverie dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Por, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, njëherë kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, pasi Qeveria, sipas tij, po funksionon me kapacitet të plotë për realizimin e programit të saj./ina