ONE thotë se rregulloi problemin, por për të dytën ditë mijëra abonentë nuk kanë shërbim

Ditën e djeshme mijëra abonentë të ONE Albania raportuan probleme. Ata u zgjuan pa shërbim telefonik për shkaqe të cilat kompania nuk i bëri të ditura.

Shërbimi i klientit “123” njoftonte automatikisht se po kryheshin ndërhyrje në rrjet, por pa dhënë detaje se çfarë ndërhyrjesh.

Megjithatë duket se mëngjesin e sotëm ONE i ka dhënë “drejtim” problemit dhe ka rikthyer shërbimin, shërbim i cili zgjati shumë pak.

Edhe pse në reagimin zyrtar kompani njofton se problemet e raportuara një ditë më parë janë kaluar,  mijëra abonentë thonë se e kanë të pamundur të komunikojnë apo përdorin shërbimin e internetit në telefonat e tyre, pasi nuk u ofrohet.

Për më tepër, ditën e sotme klientëve nuk u jepet më mundësia as të dëgjojnë zërin automatik që dje i lajmëronte për ndërhyrje në rrjet.

Kjo pasi, kur telefonon në numrin 123 që është shërbimi i klientit, mëson se numri i cili supozohet të shërbejë për zgjidhjen e problemeve nuk është i plotë.

“Numri që keni formuar nuk është i plotë, ju lutem kontrolloni numrin dhe provoni sërish”, dëgjon kur telefonon 123.

Çfarë thotë ONE në deklaratë:

I nderuar partner,

Ju njoftojmë se One Albania është përballur në orët e para të mëngjesit me disa vështirësi në rrjet të cilat mund tju kenë afektuar shërbimet e zërit dhe internetit në rrjetin 4G.

Duam t’ju sigurojmë se të gjithë ekipet tona kanë qenë plotësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për zgjidhjen e problemeve, duke rikthyer shërbimin për të gjithë abonentët e prekur, në kohën më të shpejtë të mundshme.Ju kërkojmë shumë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar kjo situatë dhe duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për durimin tuaj.

Për çdo pyetje ose sqarim, lutemi mos hezitoni të kontaktoni agjentin tuaj të dedikuar ose ekipin tonë të kujdesit ndaj biznesit në numrin 165. Faleminderit për besimin!”, thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.

/Albeu.com


Shtuar 25.08.2023 09:14