Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin lidhur me arrestimin e mijëra rusëve në protestat e fundit të zhvilluara në disa qytete të Rusisë.
Bëhet fjalë se janë arrestuar rreth 2400 shtetas rusë që nga e mërkura e kaluar kur u shpall mobilizimi i pjesshëm nga presidenti rus Vladimir Putin.
Lajmin e ka bërë të ditur BBC, sipas të cilës, zëdhënësja e zyrës së të drejtave të Organizatës të Kombeve të Bashkuara, Ravina Shamdasani, iu referua raporteve të besueshme se rreth 2,377 demonstrues ishin arrestuar në vende të ndryshme anembanë vendit.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga numri i madh i njerëzve që thuhet se janë arrestuar,” tha Shamsadani.
Ajo tha se është e paqartë se sa njerëz janë aktualisht në paraburgim; megjithatë të shtunën, grupi i monitorimit të policisë OVD-Info tha se të paktën 726 persona ndodhen në paraburgim në 32 qytete në të gjithë Rusinë, gati gjysma e tyre në Moskë.