Disa fëmijë afganë të zhvendosur brenda Afganistanit duke kërkuar për materiale të plastikës. Fotografi nga arkivi.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se do të lëshojnë 45 milionë dollarë për ta ndihmuar sistemin shëndetësor të Afganistanit, i cili sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është “buzë shkatërrimit”, pas marrjes së pushtetit nga talibanët në mesin e muajit gusht.
Sistemi shëndetësor i Afganistanit ka hyrë në krizë të madhe, pasi talibanët kanë marrë pushtetin, duke komplikuar sigurimin e ndihmave dhe duke lënë shumë qendra mjekësore pa staf.
Shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare kanë pezulluar ndihmat për Afganistanin, në mënyrë që t’ua pamundësojnë talibanëve qasjen në para, ndërkohë që dhjetëra mijëra mjekë afganë dhe staf tjetër shëndetësor kanë ikur dhe shumë grave u është ndaluar puna.
“Sistemi shëndetësor i Afganistanit është buzë shkatërrimit”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe drejtori rajonal, Ahmed al-Mandhari, më 22 shtator, pas një vizite në Kabul.
“Përveç nevojës për veprim urgjent, ky shtet përballet edhe me katastrofë humanitare”.
Në një deklaratë të lëshuar më 22 shtator, shefi për ndihma në Kombet e Bashkuara, Martin Griffiths, ka thënë se 45 milionë dollarë do të ndahen për OBSH-në dhe Fondin për Fëmijë të OKB-së (UNICEF), të cilat më pas do t’i ndajnë ato fonde për organizatat joqeveritare, në mënyrë që të veprojnë deri në fund të vitit.
Shefi i OBSH-së ka thënë se nëntë ka 37 spitalet që kanë trajtuar pacientë të sëmurë me koronavirus në Afganistan janë mbyllur dhe “të gjitha aspektet për luftim të pandemisë kanë rënë në ujë, përfshirë vëzhgimin, testimin dhe vaksinimin”.
Ndonëse 2.2 milionë persona janë vaksinuar kundër këtij virusi para muajit gusht, shkalla e imunizimit “ka rënë dukshëm” në javët e fundit dhe 1.8 milion doza në këtë shtet vazhdojnë të jenë të pashfrytëzuara.
OBSH-ja ka thënë se ka dërguar 170 tonë pajisje mjekësore në Afganistan, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin.
Për të vazhduar ndihmën, OBSH-ja ka thënë se i duhen 38 milionë dollarë për katër muajt e ardhshëm./REL