Organizata Botërore e Shëndetësisë akuzoi sot Elon Musk, pa e përmendur emrin e tij, për përhapjen e “lajmeve të rreme”, pasi sipërmarrësi miliarder, me postimin e tij në Twitter, u bëri thirrje vendeve “të mos delegojnë autoritetin e tyre” në Organizatë me rastin e projekt-marrëveshjes për përballjen me pandemitë.
“Deklarata se marrëveshja do t’i transferojë kompetencat OBSH-së është thjesht e gabuar. Është një lajm i rremë”, tha kreu i Organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Musk, llogaria e të cilit në Twitter ka më shumë se 132 milionë ndjekës, po komentonte një video të postuar nga senatori australian i ekstremit të djathtë, Malcolm Roberts, duke kritikuar OBSH-në.
“Vendet nuk i japin të drejta sovrane OBSH-së. Marrëveshja e Pandemisë nuk do ta ndryshojë këtë. Marrëveshja do t’i ndihmojë vendet të përballen më mirë me pandemitë. Kjo do të na ndihmojë të mbrojmë më mirë njerëzit, pavarësisht nëse ata jetojnë në vende të pasura apo të varfra”, u përgjigj Ghebreyesus nga ana e tij.
“Nëse ndonjë politikan apo biznesmen apo dikush është i hutuar se çfarë është dhe çfarë nuk është Marrëveshja e Pandemisë, ne do të ishim më shumë se të lumtur ta diskutojmë dhe ta shpjegojmë”, shtoi ai.
Grebregesus siguroi gjithashtu se “vetëm këto vende do të vendosin se çfarë thotë marrëveshja” dhe “do ta zbatojnë atë sipas ligjeve të tyre”.
Që nga shfaqja e Covid-19, më shumë se tre vjet më parë, OBSH ka protestuar ndaj dezinformatave dhe informacioneve të rreme që rrethojnë pandeminë. Ndonjëherë, agjencia e OKB-së është sulmuar drejtpërdrejt, me disa komentues që e akuzojnë atë se po kërkon t’u heqë qeverive autoritetin e tyre mbi politikëbërjen shëndetësore. Akuzat u intensifikuan pasi filluan negociatat ndërkombëtare midis vendeve anëtare për marrëveshjen e re se si të trajtohen dhe të përgjigjen ndaj pandemive të ardhshme.
194 vendet anëtare të OBSH-së marrin vendime për politikat shëndetësore dhe buxhetin e Organizatës në asambletë e tyre vjetore, ku përfaqësohen nga qeveritë e tyre.
OBSH shpreson se negociatat për marrëveshjen e re mund të përfundojnë deri në maj 2024 dhe u bëri thirrje vendeve që të “mësojnë nga kjo pandemi” për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime. Marrëveshja e re u konsiderua e nevojshme për shkak se komuniteti ndërkombëtar nuk arriti të përballet me Covid-19 dhe disa vende, si vetë OBSH, akuzohen se janë shumë të ngadalshëm për të reaguar dhe nuk tregojnë solidaritet me njëri-tjetrin. /albeu.com