Banorët e Kukësit nuk e pritën mirë vendosjen e traut në rrugën e Kombit.
Rruga e cila i afroi më shumë me kryeqytetin është një nga investimet e pakta që buxheti i shtetit ka bërë për këtë zonë, ndaj dhe vendosja e taksës 5 euro nuk dukej e drejtë.
Për shumë prej tyre tarifa 10 euro për të dalë dhe hyrë sërish në vendin e banimit ishte e papërballueshme.
Në fund të marsit ata shpërthyen në protesta të dhunshme, duke djegur dhe shkatërruar pajisjet e taksës bashkë me traun që bllokonte rrugën.
Qindra miliona euro për “Rrugën e Kombit”, por Kastrati dhe Salillari nuk realizojnë as gjysmën e investimit
Ky veprim i tyre kërcënon buxhetin me një faturë me vlerë 10 milion euro që koncesionari e ka dërguar për kompensim pranë qeverisë shqiptare.
“Pas ngjarjes mësipërme Prokuroria e qarkut Kukës ka kryer verifikimin e dëmeve në terren sëbashku me Koncesionarin. Koncesionari disponon fotot e dëmeve dhe procesverbalet e mbajtura nga Prokuroria për ngjarjen në fjalë. Koncesionari në bazë të verifikimeve në terren ka llogaritur preventivin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe zjarri, i cili më pas ështe aprovuar nga Inxhineri i Pavarur si dhe eshte dorëzuar ne Ministrine e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me arsyetimin se ngjarja ka të bëjë me një ngjarje kompensimi . Deri në datën e aprovimit të këtyre pasqyrave financiare nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Autoriteti Kontraktor lidhur me dëmet e shkaktuara në sheshin e pagesave si dhe trajtimin e tyre.” thuhet në një raport të kompanisë koncesionare “Albania Highëay Concession”.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në rolin e Autoritetit Kontraktor të kësaj kontrate koncesionare tha për emisionin Kronos se nuk e ka njohur dhe as paguar detyrimin e pretenduar nga pala koncesionare.
“Referuar ngjarjes së 31 Marsit të vitit 2018 në sheshin e Pagesës, Vlera prej 1.04 miliard lekë e pretenduar për dëmtimet e investimeve në sheshin e pagesës, nuk është njohur dhe paguar si kompensim, nga Autoriteti Kontraktues.” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Kronos.
Por kjo nuk do të thotë se çështja do të mbyllet me kaq. Koncesionari e klasifikon në raportet financiare si një detyrim që mund të vilet në të ardhmen duke lënë të hapur opsionin e nisjes së procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.
Baza për të fituar gjyqin mund të mbështetet edhe te kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama, të bërë disa ditë pas ngjarjes për djegien e traut.
“Në kontratë nuk parashikohet që, nëse çohet një grup vandalësh edhe i vë zjarrin investimit, do ta paguajë shteti. Kjo s’ka nevojë të parashikohet në kontratë. Kjo është në ligjshmërinë e Republikës së Shqipërisë. Shteti ka detyrimin të mbrojë pronën publike dhe private, ka detyrimin të mbrojë investimet publike dhe private. Kur këto investime sulmohen dhe digjen nga vandalë, sigurisht që kush i ka bërë investimet i kërkon mbrapsht paratë nga shteti.” do të shprehej kryeministri disa ditë pas djegies së traut.
Sido që të shkojë kjo histori, vlera e pretenduar për dëmshpërblim shihet nga ekspertët inxhinierë të kësaj fushe si një abuzim i hapur.
Inxhinieri Arben Meçe thotë se investimi në infrastrukturën e vendosjes së traut dhe sporteleve nuk shkon më shumë se 500 mijë euro.
“Më shumë se 500 mijë euro nuk është kosto e pajisjeve dhe traut, 10 milion euro është çmenduri! Në atë pikë të raportosh investim 10 milion euro, jo shkatërrim 10 milion euro, nuk ka nevojë të lodhesh për të thënë që ky është akt korruptiv.” shprehet inxhinieri Arben Meçe./Mcn