Në Bullgari, partitë politike duken të gatshme për bisedime të gjata dhe të vështira për krijimin e një koalicioni qeverisës pasi në zgjedhjet parlamentare nuk pati një fitues të qartë.
Zgjedhjet e së dielës ishin të pestat në harkun kohor të dy viteve.
Sipas rezultateve paraprake pas numërimit të 96% të kutive të votimit, aleanca e udhëhequr nga partia e qendrës së djathtë GERB, e ish kryeministrit Boyko Borissov fitoi 26.5% të votave, ndërsa blloku pro-perëndimor i udhëhequr nga partia “Vazhdimi për Ndryshim” fitoi 24,9%.
Partia nacionaliste “Ringjallja” e cila ka përkrahur sulmin e presidentit rur Vladimir Punin në Ukrainë, u rendit në vendin e tretë me 14.4%, duke siguruar mbështetje më të lartë se sa në zgjedhjet e muajit tetor të vitit të shkuar.
Ngërçi i tejzgjatur politik në Bullgari ka ardhur kryesisht si pasojë e përplasjeve personale mes udhëheqësve të dy blloqeve kryesore dhe ka detyruar vendin të shtyjë afatin për përdorimin e monedhës Euro si dhe ka çuar në mos miratimin e buxhetit për vitin 2023.
Po ashtu, gjendja e pasigurt ka kufizuar mundësitë e Bullgarisë për të përdorur fondet e Bashkimit Europian për rimëkëmbjen pas pandemisë. Analistët thonë se rezultati i paqartë i zgjedhjeve të ditës së djeshme mund të çojë në një tjetër proces zgjedhor, gjatë këtij viti./voa