Vëllai i gjykatësit të famshëm Italian Paolo Borsellino, Salvatore Borsellino, i cili së bashku me Giovanni Falcone-n humbën jetën gjatë luftës kundër mafias, është shprehur se Paolon e vrau shteti, jo mafia.
Borsellino ka folur sot në një intervistë ekskluzive për gazetarin Thimi Samarxhiu në emisionin “Zona Zero” në Top Neës.
“Vicenzo Agostino, babai i një polici të vrarë, nuk ishte i bindur që vrasja e Falcone-s dhe Borsellino-s ishte bërë nga mafia, por nga jakat e bardha.
Kjo sipas tij, pasi një fshatar si Riina nuk mund ta dinte me siguri sa lëndë shpërthyese duhej dhe kur do kalonte fiks makina e Borsellino-s.
Patjetër që po, mendoj se Falcone dhe Borsellino, janë vrarë nga anëtarë të caktuar të shtetit, dhe jo nga mafia. Mafia ka qenë dora e armatosur e shtetit, por ata që vendosën janë nga brenda shtetit. Kur u vra Borsellino, ka dëshmi të policëve që panë njerëz të veshur me xhaketë e kravata, se nuk mjaftonte të vrisnin Borsellino-n por të merrnin dhe axhendën e kuqe. Se do dilnin në dritë edhe negociatat që disa funksionarë të shtetit kishin bërë me mafian”, deklaroi Borselino.
Një pjesë nga përgjimet e Riina-s në burg, dhe për masakrën e Via D’Ameglia, ai përmend Shqipërinë, pra dikë që vjen nga Shqipëria. Flitet për një figurë të panjohur, dhe përgjimet tregojnë se mund të ketë qenë një shqiptar. Keni informacion?
“Riina flet hapur për një shqiptar, por ato informacione janë të sekretuara dhe s’mund të dimë gjë me siguri. Por ajo për të cilën flet Pertucca, një tjetër i penduar, nuk flet për një shqiptar për atë të panjohurin tek garazhi. Por thotë se ishte një person për t’u siguruar që makina 126 të mbushej me lëndë shpërthyese. Atentati nuk duhej të dështonte, qoftë ai kundër Falcone-s, qoftë ai kundër Borsellino-s. Për fat të keq, ai përgjim është i sekretuar, prandaj nuk di të them më shumë se kaq. Di që kohëmatësit që u përdorën për shpërthimin vinin nga Jugosllavia. Nga Shqipëria nuk di më shumë se kaq”, shtoi ai./albeu.com/