Në Durrës janë vënë në pranga dy persona të kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për vepra të rënda penale, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Fury”, bëri të ditur Policia e Shtetit e Shqipërisë.
Në njoftimin fillestar, policia publikoi vetëm inicialet e tyre, ndërsa sipas televizionit ABCNews.al, të arrestuarit janë Musa Xhavit, 26 vjeç, nga Shkupi, dhe Shenasi Nuredini, 34 vjeç i lindur në Norvegji.
Të lidhura
None found
Ndaj tyre, INTERPOL-i kishte nxjerrë urdhër-arreste ndërkombëtare, pasi kërkohen nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprat penale vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Policia e Shqipërisë njoftoi gjithashtu se gjatë kontrollit të ushtruar ndaj dy të ndaluarve janë sekuestruar edhe dokumente identifikimi, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
“Dokumentet dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Dy të arrestuarit pritet të ndjekin procedurat e ekstradimit drejt Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë dhe INTERPOL-in./INA/
