Nis nesër pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, para se të niseni njihuni me masat e policisë

Berat- Në malin e Tomorrit nis nesër pelegrinazhi i madh i Bektashinjve. Për të shmangur problemet në lidhje me këtë organizim të madh, Drejtoria e policisë së Beratit ka ndërmarrë një plan të detajuar masash.

Policia e Beratit, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë angazhuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit të lehtësuar të mjeteve e këmbësorëve, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”.

Pelegrinazhi zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht 2024. Në zbatim të këtij plani masash, janë planizuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit si dhe në ambjentet e jashtme të objektit të kultit (Teqesë) në këtë mal.

Kufizimet
-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, ”Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, ”Berat-Mali i Tomorrit”, ”Berat-Çorovodë” dhe ”Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit”,nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00,gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët,furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”.

-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”,qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

-Gjithashtu, është e ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në akset rrugore dhe drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve.


Shtuar 17.08.2024 11:57