Ngjarja me 1 viktimë dhe 4 të plagosur në Don Bosko, Meta: Po kërcënohet siguria, policia të forcojë punën

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjes së djeshme në Don Bosko, në Tiranë, ku u vra me breshëri kallashnikovi 35-vjeçari Erion Çela dhe mbetën të plagosur 4 të tjerë që ndodheshin në të njëjtën kafe.

Meta shkruan se këto ngjarje po kërcënojnë sigurinë e qytetarëve dhe ia ka bërë thirrje policisë dhe organeve ligjzbatuese të forcojnë punën.

Postimi i Metës:

Dënoj me forcë ngjarjet kriminale të ditëve të fundvitit dhe të ditëve të para të vitit të ri, të ndodhura në disa qytete të vendit, e veçanërisht ngjarjen fatale në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ditën e djeshme, që përfundoi me vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës.

Kjo është rrjedhojë e një sërë aktesh të tjera kriminale, që kanë mbetur të pazbuluara dhe ku autorët nuk janë vënë përpara drejtësisë.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen./albeu.com


Shtuar 5.01.2022 11:24