Nga vrasjet te grabitjet me armë, pse Talo Çela është njeriu më i kërkuar në Shqipëri

Pas “zbërthimit” të Nuredin Dumanit, një pjesë e madhe e personazheve të botës së krimit janë shpallur në kërkim.

SPAK ka nisur hetimet për shumë prej tyre, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, që nga vrasjet, vjedhjet, grabitjet me armë, etj.

Njëri prej tyre veçanërisht, është emri më i përmendur i çastit dhe ai më i akuzuari e më i kërkuari nga SPAK: Talo Çela.

Çela ka qenë prej vitesh ndër emrat më të lakuar në botën e krimit në vend.

Në aktakuzën e SPAK, ai përmendet për nëntë krime, që prej vrasjeve, deri tek vjedhjet.

Dëshmia e ish-mikut të Talos, Nuredin Dumanit, pasi ky i fundit u kap në flagrancë në Fier, pikërisht pas një atentati të kryer në Elbasan ndaj Çelës (siç mendohet), e ka bërë figurën e më të kërkuarit nga SPAK të vihet në gojën e në titujt e të gjithë mediave.

Një ndër krimet e para për të cilat ai përmendet, është vrasja me paramendim e Fatmira Habili (Dedaj) në 14 shtator 2013.

Këtë të fundit, Çela (sipas deklaratës së Dumanit), e ka vrarë duke e kapur në garazhin e shtëpisë së saj. Më pas, ai e ka rrahur e më tej e ka prerë në qafë me një thikë. Gjithçka, për t’u bërë të dukej si një tentativë grabitjeje e shkuar në fatalitet.

Një tjetër ngjarje është ajo e vrasjes së shtetasit Andy Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçit.

Tjetër vrasje që sipas Dumanit e ka kryer Çela, këtë herë për arsye hakmarrjeje, është ajo e Arben Çetës, më 14 nëntor 2013.

Më pas, vijohet me disa vjedhje.

E para ka të bëjë me një vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Xhemal Liçi, në 19 dhjetor 2012.

Tjetër ngjarje është ajo e vjedhjes në dëm të Hamit Haxhisë, kryer më 11 shkurt 2013.

Katër vjedhje të tjera, të shtrira në kohë, i atribuohen po Talo Çelës, nga dëshmia e Nuredin Dumanit.

Kështu, figura e ndërtuar rreth tij është kthyer në një mit të vërtetë në botën e krimit.

Dyshime ka edhe se Çela është pjesëmarrësi kryesor i vjedhjes së një shume të madhe parash nga një avion në pistën e Rinasit, pavarësisht se ai e ka mohuar çdo akuzë.

Megjithatë ai sot është njeriu më i kërkuar nga SPAK dhe askush nuk e di se ku ndodhet. Kujtojmë gjithashtu se gazetari Artan Hoxha u shpreh në një studio televizive se mund të mos e shohim më kurrë Talo Çelën.