Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pasditen e kësaj të marte në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për punën e institucionit që ai drejton përgjatë vitit 2024.
Gjatë fjalës së tij Dumani tha se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave mbeten një kërcënim i lartë për sigurinë dhe rendin në vend.
Ai u ndal veçanërisht te trafiku i drogës, që vijon të përbëjë një rrezik të lartë, edhe pse është shënuar një rënie e lehtë gjatë këtij viti. Sipas Dumanit, kjo rënie lidhet me ndërhyrjet e institucioneve të drejtësisë.
Kreu i SPAK theksoi se grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në shumë shtete europiane, përfshirë Italinë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Francën, Gjermaninë, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto grupe janë të përfshira kryesisht në trafikimin e kokainës dhe kanabisit, me burime që vijnë nga vendet e Amerikës Latine si Kolumbia, Meksika, Ekuadori dhe Paraguaji.
Përveç trafikut të lëndëve narkotike, grupet kriminale shqiptare merren gjithashtu me trafikim të qenieve njerëzore dhe krime kibernetike.
Gjatë vitit 2024, Dumani bëri me dije se janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, prej të cilave 10 janë çuar për ndjekje penale. Ato karakterizohen nga struktura të mirëorganizuara, përdorimi i komunikimeve të kriptuara dhe metoda të sofistikuara për pastrimin e parave, përfshirë edhe kriptovalutat.
Ai theksoi se këto grupe janë aktive në qytete të ndryshme të Shqipërisë si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Vlora, dhe paraqesin një sfidë serioze për autoritetet ligjzbatuese për shkak të nivelit të lartë të organizimit dhe sofistikimit.
Ndër të tjera ai u ndal edhe te problemet me të cilat haset struktura që i drejton dhe prokurorët e posaçëm. Sipas tij ata po përballen me sulme edhe në aktorë politikë të cilët rrezikojnë integritetin institucional dhe të prokurorëve.
“Tani është momenti të paraqes para jush disa problematika të hasura gjatë vitit 2024 në punën tonë. Së pari doja të veçoja veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë dhe krimi i organizuar gjë që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve duke kërkuar në reagim të koordinuar institucional për mbrojtjes e pavarësisë kushtetuese të SPAK”, tha Dumani ndër të tjera, teksa më tej u kërkoi deputetëve dhe një ndryshim në ligjin “10102”, lidhur me administrimin e pasurive të sekuestruara.
Kreu i SPAK tha se kanë hasur probleme të mëdha në ruajtjen e kriptomonedhave dhe për këtë arsye ka kërkuar një portofol.
“10102 për administrin e pasurive të sekuestruara pasi kemi hasur një problematikë të mëdha për ruajtjen e kriptomonedhave. Aktualisht nuk kemi një portofol, nuk kemi një protofol ku të ruajmë pasuritë e sekuestruara në kripto. Ne vetëm 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovaulave, problemin e zgjidhëm por duke bashkëpunuar me të huajt i cili na u vetëofrua, por ishte një sforco e madhe. Jemi në proces për sekuestrimin e një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë akoma teë ngrira, por do të sekuestrohen”, tha Dumani.