Me përfundimin e ceremonisë së mbylljes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri zyrtar i këtij eventi iu dorëzua Kosovës, e cila do të organizojë edicionin e ardhshëm në Prishtinë, në vitin 2030.
Të lidhura
None found
Pranimin e flamurit e bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shënuar nisjen zyrtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në prani të më shumë se 20 mijë tifozëve në stadium, flamuri i Kosovës u vendos pranë flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare.
Basketbollisti Adhurim Alijaj ia dorëzoi flamurin Kosovës, ndërsa ceremonia vijoi me ngritjen e tij dhe ekzekutimin e himnit shtetëror të Kosovës.
Publiku ndoqi gjithashtu videon prezantuese të “Prishtina 2030”, e cila promovoi Kosovën dhe kryeqytetin e saj si vendin pritës të edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare.
Pak para momentit të dorëzimit, flamuri i Kosovës u mbajt në ceremoninë përmbyllëse të “Taranto 2026” nga karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.
Në stadium morën pjesë edhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Ismet Krasniqi.
