I hidhni farat e kungullit!? Po ta dinit sa ndikuese janë për humorin e mirë, që ndihmojnë gjumin të jetë i qetë, që mund të jenë përbërës thelbësor në shumë receta, nuk do kishit vepruar kështu…
Farat e kungullit shpesh konsiderohen një produkt i panevojshëm që, në shumicën e rasteve përfundon në mbeturina ndërkohë që mund të ishte njësoj si zahiretë e tjera që përgatiten në këtë periudhë! Si ti bëni në shtëpi? Po ju tregojmë sekretet dhe ca receta ku mund t’i përfshini…
Kaloritë dhe vlerat ushqyese:
Si të gjitha frutat e thata, edhe farat e kungullit kanë shumë kalori, reth 560 për 100 gr, ama kanë rolin e tyre të rëndësishëm në ushqyerje. Mjafton të mos e teproni me sasinë që t’u merrni vetëm anët e mira. Pikërisht në këtë stinë, vjeshtë e fillim dimër, farat e kungullit që merren nga kungujt e vjeshtës janë me shumicë, bie edhe humori. Mirëpo natyra ka rregulluar gjithçka; nuk është e rastësishme që një nga vlerat kryesore të tyre është pikërisht në përmirësimin e humorit. Fal magnezit, kanë efekt qetësues dhe shërbejnë për të përmirësuar gjumin. Prania e hekurit dhe omega 3 ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit.
Si t’i bëni në shtëpi?
Është fare e thjeshtë; kur pastroni kungullin lini mënjanë farat. Shpëlajini mirë, deri sa të largohen të gjitha mbetjet e kungullit dhe thajini me një letër kuzhine. Hidhuni pak kripë, piper, vaj ulliri dhe piqini në furrën e parangrohur për disa minuta duke i kthyer vazhdimisht.
Ku t’i përdorni?
Farat e kungullin janë të përshtatshme qoftë për pjatat e ëmbla qoftë për ato të kripura. Mund t’i shtoni në kosin e mëngjesit, në përgatitjet e brumit (bukë, pite, byrekë, etj) që bëni në shtëpi, në sallata, në biskota etj…