Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e së dielës. Në një lokal në zonën e Don Boskos mbeti e vrarë kamarierja Mimoza Paja, 60-vjeçe, ndërsa u plagosën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli.
Gjithashtu e plagosur ka mbetur edhe një vajzë e mitur 10-vjeçe e cila është lënduar nga ciflat e xhamit.
Aktualisht pesë të plagosurit ndodhen në spitalin e Traumës, ku katër prej tyre ndohen në gjendje të rëndë.
Burime për AlbEu.com, bëjnë me dije se dy persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri në drejtim të lokalit. Gjithshtu mësohet se kamarierja është vrarë gabimisht pasi nuk ka qenë ajo objektivi.
Ndërkohë raportohet se ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të Fation Muratit, i cili u arrestua në tetorin e vitit të shkuar ndërsa ndodhej në makinë me mikun e tij Endrit Dokle.
Murati ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohej s ekishte lidhje me vrasjen e Fushë-Krujës me tre viktima, mes tyre edhe djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj. Por për Muratin kishte lëshuar urdhërarresti edhe drejtësia italiane.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.
Por kush është Fation Murati
Fation Murati u arrestua ndërsa ndodhej në makinë me mikun e tij Endrit Dokle në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Ndërsa një javë më pas pme urdhër të prokurorisë së Tiranës iu sekuestruan katër prona të paluajtshme dhe 3 biznese me vlerë rreth 5 milionë euro, pasi dyshohen se kanë prejardhje kriminale. Gjithshtu organi i akzuzës theksonte se Murati është akuzuar nga autoritetet italiane për disa vepra penale, mes të cilave edhe trafik kokaine.
Organi i akuzës theksoi se hetimi pasuror ndaj Muratajt ka nisur në vitit 2018, kur ai është referuar si i dyshuar për kryerje të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve jashtë Shqipërisë.
Ndjekje “këmba-këmbës” e Fation Muratit, si ra në gjurmët e policisë ish-anëtari i bandës së Durrësit
Konkretisht më 21 mars 2018 Murataj së bashku me katër persona të tjerë, mes të cilëve disa të arrestuar në Itali, janë denoncuar për se janë marrë fillimisht me vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ndaj Fatjon Muratajt, gjykata e Trevizos ka vendosur më 31 tetor 2015 masën për evezion, ndërkohë që një muaj më vonë ka nxjerrë urdhër arresti ndaj tij me akuzat e “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”.
Më 26 prill, Gjykata e Venecias ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pjesëmarrjes në krime”; dhe më 26 korrik 2017 në kuadër të procedimit penal të autoriteteve gjyqësore të Padovas, është raportuar për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”.
Prokuroria thotë se nga analiza e provave arrin në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të Fajton Muratajt dhe familjareve të tij dyshohet, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova, se janë produkte të veprave penale ose i veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përshirë, si dhe ka rrezik që të transferohen tek të tretët.
Për këtë arsye prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e sipërfaqes së ndërtimit 120 metra katrorë në zonën kadastrale 8330, dyqanit me sipërfaqe 40 metra katrorë në rrugën “Lord Bajron”, apartament 90.30 m2 në rrugën “Shaban Matraku” dhe ndërtesë 8 katëshe me sipërfaqe 317 m2 katrorë.
Përveç këtyre pronave, Prokuroria ka kërkuar edhe sekuestrimin e tri aktiviteteve tregtare me aktivitet tregti artikujsh ushqimorë, bar kafe dhe lavazh automjetesh.
/AlbEu.com/