Janë zbardhur detaje të reja nga krimi i rëndë i ndodhur në Tiranë, pak pas mesnate ditën e djeshme ku mbeti i vdekur shtetasi Jurgen Duka.
Ngjarja ndodhi në një market në rrugën “Irfan Tomoni”. Siç shihet nga pamjet e publikuara nga Albeu.com, Jurgen Duka, së bashku me mikun e tij O. D., ndodhen në kasën e marketit.
Më pas, shihet se si Jurgeni, ka nisur një konflikt verbal para banakut të shitësit ku po bën pagesën, me një tjetër blerës. Në debat përfshihet edhe shoku i viktimës.
Më pas, për të shuar konfliktin ndërhyjnë edhe persona të tjerë, të cilët nuk dihen nëse janë blerës të çastit apo shokë me viktimën ose autorin. Shpejt, konflikti verbal përshkallëzohet në përplasje fizike, ku autori, gjatë një momenti nxjerr armën dhe qëllon ndaj 27-vjeçarit.
Klientët largohen të alarmuar, ndërsa viktima, bie menjëherë në tokë pa ndjenja. Në godinë, mbetet vetëm viktima dhe shitësi.
Vlen të theksohet se policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa në pyetje janë marrë edhe miqtë e viktimës, për të mësuar kështu, arsyen se saktë se përse ndodhi konflikti.
Njoftimi i Policisë:
Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën “Irfan Tomini”, shtetasi J.D. (M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar. Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi J. D. (M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi J. D. (M)., ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes. Janë marrë në pyetje shoku i shtetasit J. D. (M)., dhe persona të tjerë në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit./albeu.com/