Nga hyrja deri në finale, Ludo Lee rrëfen rrugëtimin e tij në Big Brother VIP Kosova 4

Pas përfundimit të aventurës në “Big Brother VIP Kosova”, finalisti i tretë i edicionit të katërt, Ludo Lee, ka dhënë intervistën e tij të parë televizive në emisionin “Ora Shtatë”. Gjatë bisedës, ai u ndal te periudha menjëherë pas daljes nga shtëpia e famshme, duke pranuar se ditët e para nuk kanë qenë aspak të lehta për të.

Sipas tij, java e parë pas përfundimit të reality show-t ishte emocionalisht e ngarkuar dhe kërkoi kohë për t’u përshtatur sërish me jetën jashtë kamerave. Ludo foli edhe për mënyrën se si e kishte ndërtuar strategjinë e tij gjatë qëndrimit në shtëpi. Ai theksoi se përvojat e jetës jashtë e kishin ndihmuar shumë për të përballuar situatat dhe dinamikat e lojës.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim, sipas tij, kishte edhe mbështetja e familjes. Finalisti tregoi me emocion se vajzat e tij, edhe pse nuk flasin shqip, kishin arritur ta kuptonin shumë mirë lojën që ai zhvillonte në shtëpi.

“Vajzat nuk flasin shqip, por e kishin kuptuar shumë mirë lojën time. Madje edhe shoqet e tyre kishin qenë fanse të mia dhe i kishin thënë vajzës: ‘Babanë e ke si luan’”, u shpreh ai.

Sa i përket marrëdhënieve me ish-banorët, Ludo zbuloi se vazhdon të mbajë kontakte shumë të mira me disa prej tyre, veçanërisht me Benitën, Edin dhe Londrimin. Megjithatë, ai nuk e fshehu edhe zhgënjimin që ndjeu në finalen e madhe. Stilisti i flokëve pranoi se reagimi i tij erdhi nga fakti se besonte se mund të fitonte këtë edicion të “Big Brother VIP Kosova”.


Shtuar 12.03.2026 16:09