Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken do të udhëtojë sot në Turqi për një vizitë zyrtare gjatë së cilës do të zhvillojë bisedime mbi mënyrat se si Uashingtoni mund të ndihmojë më tej Ankaranë në përpjekjet e saj për të rimëkëmbur nga pasojat e tërmetit të fundit shkatërrues, i cili mori jetën e mijëra njerëzve.
Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinje më 6 shkurt vrau më shumë se 46,000 njerëz dhe la më shumë se një milion njerëz të pastrehë së bashku me një kosto ekonomike që pritet të arrijë në miliarda dollarë.
Në axhendën e bisedimeve që do të zhvillojë Sekretari amerikan i Shtetit në Turqi pritet të dominojë edhe çështja e zvarritjes së kandidaturave të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, të cilën Turqia deri tani ka refuzuar ta ratifikojë, duke thënë se Stokholmi ofron veçanërisht strehim për, siç i karakterizon ai, anëtarë të organizatave terroriste.
Ankaraja ka lënë të kuptohet së fundmi se do të miratojë vetëm anëtarësimin e Finlandës në organizmin ndërkombëtar.
Nesër Blinken do të zhvillojë bisedime dypalëshe me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu.
Sekretari amerikan i shtetit pritet të takohet edhe me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
Pas tërmetit, SHBA dërgoi një ekip kërkimi dhe shpëtimi, furnizime mjekësore dhe një fond shtesë prej 85 milionë dollarësh në ndihmë humanitare në Turqi, e cila mbulon gjithashtu Sirinë.
Vizita e parë e Blinken në Turqi si sekretar i shtetit vjen dy vjet pas marrjes së detyrës, në ndryshim me disa nga paraardhësit e tij, duke përfshirë Hillary Clinton dhe Rex Tillerson, të cilët e bënë vizitën brenda tre muajt e parë të mandatit të tyre.
Analistët thonë se vonesa tregon natyrën e tensionuar të marrëdhënieve, e cila është përkeqësuar veçanërisht që nga viti 2019, pas blerjes nga Ankaraja të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore.
Edhe pse SHBA e ka lavdëruar Turqinë për disa nga veprimet e saj gjatë pushtimit rus të Ukrainës, vijon të mbetet e shqetësuar për marrëdhëniet e saj të ngushta me Moskën, thonë ekspertët./albeu.com.