Nesër takim i ri Zaev-Gashi (VIDEO)

Alternativa dhe LSDM po zhvillojnë konsultime brendapartiake pas takimit të djeshëm, të tretin me radhë, ku u konstatua përafrim edhe për çështjen e ndarjes së resorëve. Siç merr vesh TV Shenja nga burime partiake, tashmë është definuar që Ministria e Shëndetësisë të udhëhiqet nga kuadër i Alternativës. Kësaj partie do t’i takojë edhe një tjetër ministri, e cila pritet të vendoset në ditët në vijim. Alternativa do të ketë edhe 3 zv/ministra në Qeveri.

Sa i përket drejtorive nën ombrellën e pushtetit qendror, Alternativa do të marrë përgjegjësi për të udhëhequr rreth 25 drejtori. Por se cilat institucione konkretisht do të drejtohen nga partneri i ri qeveritar, do të vendoset në takimet e radhës.

Takimi i katërt mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës Afrim Gashi do të zhvillohet nesër. Në këtë takim pritet të konkretizohen çështjet e resorëve dhe palët të afrohen drejt finalizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Siç u kumtua nga vetë Qeveria, Zaev dhe Gashi në dy takimet e para janë marrë vesh për programin dhe parimet e bashkëqeverisjes, me inkorporimin e prioriteteve të Alternativës në programin qeveritar.

Nëse bisedimet përfundojnë me marrëveshje, në Kuvend do të propozohet Qeveri e re dhe jo riformatim i Qeverisë aktuale. Qeveria e re do të udhëhiqet nga kryetari i ri i LSDM-së, i cili do të zgjidhet më 12 dhjetor. /SHENJA/


Shtuar 2.12.2021 17:20