Nesër Kongresi i PS, Balla kursehet me fjalët: Nuk do zbuloj surprizat e bukura

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një prononcim për mediat nga Selia rozë, shpalosi me pak fjalë axhendën e Kongresit që do të zhvillohet nesër në Pallatin e Kongrese.

“Unë nuk do të zbardh sot surprizat e bukura, që do të sjellë të gjithë kontributin e atyre në PS, që duke kontribuar për PS, kanë kontribuar edhe për rrugëtimin në BE. Do të ketë mesazhe, përshëndetje, dhe pas kësaj do të kalojmë në prezantimin e vizionit tonë “Shqipëria 2030”, ku brenda kësaj pjese do të jetë edhe përmbledhja e objektivave tona për mandatin e ri qeverisës. Më pas, është dhe një pjesë tjetër, që është pjesa që lidhet me procesin e thellë të analizës dhe riorganizimit të plotë të strukturës së PS në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, nga ai bazë në të gjitha nivelet e tjera.

Dua ta nënvizoj dhe të jetë e qartë për gjithë strukturën e PS, ndoshta në dy palë zgjedhje ato të 2013 dhe 2017, ne nuk kemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë nuk kemi funksionuar si duhet dhe ku duhet të përqendrohemi. Në këtë këndvështrim, prandaj ne po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion. Procesi fillon nga 15 qershori e deri më 15 janar 2022, për të garantuar që në pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2023.

Nesër, socialistët do të mbledhin Kongresin. Për herë të parë, Kongresi i Partisë Socialiste do të mbahet në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’. Për mbledhjen e datës 12 qershor, socialistët kanë zgjedhur një vend të hapur për t’u mbledhur në takimin që përkon edhe me 30 vjetorin e Partisë Socialiste. Në Kongres pritet të marrin pjesë qindra anëtarë të PS dhe përfaqësues të degëve nga e gjithë Shqipëria’, tha Balla.

Shtuar 11.06.2021 11:06