Nënshkruhet marrëveshja për futjen e futbollit në shkolla

U nënshkrua sot marrveshja për futjen e futbollit në shkollë.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Krijimi i ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare, baza materiale dhe trajnimi i mësuesve do të jenë tre pikat kryesore për implementimin e futjes së futbollit në shkolla.

Gjatë fjalës së saj pas nënshkrimit të marrveshjes ministrja e Arsimit tha se ky project do të mbështetet totalisht nga FIFA dhe se në fazën e parë do përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare, për djem dhe vajza, ndërsa në fazën e dytë do të jenë 416 shkolla të tjera.

“Hap pas hapi qëllimi do të jetë identifikimi dhe mbështetja e talenteve, por mbi të gjitha do të jetë një projekt që mbështet familjet shqiptare. Futbolli është ndër sportet më popullore. Ky projekt është mbështetje për familjet shqiptare, fëmijët e tyre do përfshihen në ekip të ndryshme të futbollit pa paguar para.

Lehtësohet edhe barra e familjeve për të angazhuar fëmijët në sportin e futbollit. Kemi një sërë projektesh të tjera, si ai i ekipeve sportive për volejboll dhe basketboll, me rreth 10 mijë nxënës të angazhuar në gjithë Shqipërinë, por edhe shumë mësues. Ky projekt do shtrihet në gjithë qytetet e Shqipërisë. Sporti për nxënësit është shëndet, shëndet fizik, shëndet mendor, shëndet social, por zhvillimi i sportit është edhe zhvillim ekonomik, zhvillim për turizmin dhe është promovimi më i mirë që i bëhet Shqipërisë.

Falënderoj shumë FSHF-në, presidentin Duka, me të cilin kemi bashkëpunim të mirë, edhe për projekte të tjera. Do punojmë që të bëjmë realitet kualifikimin në Euro 2024 të Kombëtares. Mbi të gjithë faleminderit edhe FIFA-s dhe zotit Infantino, i cili u angazhua personalisht në këtë projekt”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi./Albeu.com/