Në kërkim të personit që kërkoi “kokën” e Behar Sofisë, zbulohet vendi ku u bë pazari i vrasjes

Përveç thënieve të Ernejt Shytit, prokuroria deklaron se disponon pamje filmike të takimit mes të dyshuarve në një terminal autobusësh në kryeqytet, ku edhe është bërë pazari për të vrarë biznesmenin Behar Sofia.

Burimet  tregojnë se ndërmjetësuesit përdorën një Fiat Punto për të mbërritur në vendin e takimit që është sekuestruar si provë materiale për të mbështetur dëshminë e 24-vjeçarit, një punonjës sezonal në Malin e Zi. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ai u nënkontraktua dhe u përdor si ekzekutor.

Në kërkim të indicieve që do të hedhin dritë mbi identitetin e personave që urdhëruan vrasjen e Sofisë, prokuroria i bëri ftesë Skënder Vathit për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Por ai refuzon të ketë dijeni, e vetmja fjali që ai këmbëngul është telefoni me të cilin u njoftua Ernejt Shyti, për të cilin thotë se nuk është i tij.

Sakaq, shoku i fëmijërisë së Ernejtit, Xhuliano Visha që ishte kontaktuar i pari për ta vrarë biznesmenin ende nuk është marrë në pyetje. I treti, Leonard Xhixha që e prezantoi Skënder Vathin si daja rezulton me një të kaluar problematike, më e rënda ajo e përfshirjes për të vrarë Fotion Alimanin me porosi të Mirdash Osmanit.

Si ndodhi ekzekutimi?

Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.

Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë. /tch

Shtuar 16.03.2021 04:03