Në kërkim për 7 krime, si mundi Nuredin Dumani të shkonte në Kosovë dhe të kthehej me të dashur 20-vjeçare

Bashkë me Nuredin Dumanin në pranga kanë rënë edhe 5 persona të tjerë. Gazetarja Xhensila Kodra, e ftuar në “ABC Live” ka zbuluar detaje të reja lidhur me të shumë kërkuar e drejtësisë Nuredin Dumanin, i cili vetëm pasi mbeti i plagosur nga një shkëmbim zjarri në Elbasan, mundi të kapej në Fier. Në pranga policia ka vënë edhe të dashurën e Nuredin Dumanit M.H 20-vjeç nga Kosova. Gazetarja Kodra, raporton sipas informacioneve Nuredin Dumani edhe pse në kërkim për të paktën 7 ngjarje kriminale ka mundur të thyej kufirin dhe të shkojë në Kosovë. Ndërkaq ai mundi edhe të kthehej në Shqipëri pa u shqetësuar duke sjellë me vete edhe të dashurën e tij 20-vjeçare.

Mes të arrestuarve me Dumanin, janë 2 mjekët, Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci. Ata janë punonjës të spitalit të Fierit dhe u arrestuan me urdhër të policisë së Elbasanit. Këta persona dyshohet se kanë mjekuar 35-vjeçarin Nuredin Dumanin në shtëpi dhe nuk e kanë kallëzuar ngjarjen.

Në pranga ka rënë 20-vjeçarja e dashur e Nuredin Dumanit e cila akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë i arrestuar është edhe Henrik Hoxha, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nuredin Dumani mbeti i plagosur të martën pas një atentati me armë në Papër të Elbasanit. Policia e arrestoi atë disa orë më pas në një apartament në lagjen Apollonia të Fierit, të cilën kishte pak kohë që e kishte marrë me qira. Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhura vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati. /abcnews.al/