Ditën e sotme në çadrat e vendosura në qëndër të qytetit Fier janë paraqitur qytetarë për vaksinim por askush nuk qëndron aty as për ti informuar që kur duhet të paraqitet.
Qytetarët shprehen se janë interesuar por ka mungesë të vaksinës ndaj edhe staf mjekësor nuk ka pranë çadrave.
Një qytetare nga qyteti i Fierit shprehet se ka mbërritur në qendrat e vaksinimit por në këto ambjente nuk ndodhet askush që të mund të kryejë vaksinimin.
Qytetarja: Kemi ardhur të bëjmë vaksinën.
Gazetari: Sa keni që prisni?
Qytetarja: Po s’kemi as dhjetë minuta.
Gazetari: Çfarë thonë?
Qytetarja: Po s’ka njeri fare këtu.
Gazetari: Keni ardhur herë tjetër për të bërë vaksinën?
Qytetarja: Jo, jo, sot.
Gazetari: Çfarë moshe jeni.
Qytetarja: 60 e lart.
Gazetari: Keni informacion se kur do të bëhen vaksinat?
Qytetarja: Na thanë ik te sheshi se do ta bëni vaksinën, po nuk e di.
Gazetari: Ju kanë thënë se kur do fillojnë?
Qytetarja: Po kë të pyesim, muret?!
Të njëjtën gjë e konfirmon edhe një tjetër qytetare për Top Channel, e cila shprehet se ka mbi dy orë në pritje por askush nuk i vjen në ndihmë.
Qytetarja 2: Qesh pardje të shtunë, sa erdhi radha ime tha të hënë ka plotë me shumicë. Kam ardhur që në mëngjes dhe kam dy orë që pres.
Gazetari: Çfarë ju kanë thënë?
Qytetarja 2: Nuk ka ka thënë orë, nuk ka njeri. Nuk kemi me kë të sqarohemi. Të paktën të kishte një njeri, ne pak të sëmurë jemi. Pardje, të shtunën, tha që pasnesër të hënë do të vijnë patjetër. Do të ketë plot.
Gazetari: Do rrini të prisni?
Qytetarja 2: Po do rrimë çfarë të bëjmë.
Ndërkohë, në Tiranë vijon procesi i vaksinimit dhe ditën e sotme nis vaksinimi për personat +60 vjeç.
Avioni i dytë që u ul këtë të enjte në Rinas ishte nga Turqia. Me Air Albania mbërritën 100 mijë vaksina kineze, të cilat duhet të kishin ardhur që të mërkurën, por kjo u bë e pamundur për shkak të bllokimit të punës së kontrollorëve në aeroport.