Ngjarja e së hënës në xhaminë “Dine Hoxha”, në Rrugën e Kavajës, në Tiranë, duket se ishte rezultat i konflikteve të mëparshme që autori Rudolf Nikollaj kishte pasur me besimtarët në të njëjtin objekt kulti.
Për këtë arsye, por edhe për shkak të dëshmisë së 34-vjeçarit, i cili është shprehur se frekuentuesit e xhamisë e përgjonin, gjurmonin dhe nuk e linin rehat, prandaj ai iu kundërpërgjigj me sulm me thikë, ngjarja po hetohet edhe nga oficerët e Antiterrorit. Ngjarja, që në dukje ngjan si një akt terrorist dhe po hetohet edhe si i tillë, sipas të gjitha të dhënave, mund të klasifikohet ndryshe, kjo për shkak se autori i dyshuar, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Mësohet se Rudolf Nikollaj, në 6 muajt e fundit, ishte shtruar 5 herë në Psikiatri.
Sipas “News 24”, më parë ai ka kryer incidente deri në konflikte fizike me besimtarët. Jo vetëm, ai është me precedent penal për dhunë në familje, teksa 1 muaj më parë goditi me thikë 32-vjeçarin me aftë- si ndryshe te terminali i autobusëve të veriut.
HETIMI
Sulmi me thikë i ditës së hënë në xhaminë “Dine Hoxha”, në Tiranë i ka kaluar tashmë për hetim Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Çështja në Prokurori është referuar për financim të terrorizmit që në vendin tonë dënohet me 15 vite burg ose burgim të përjetshëm apo gjobë 5-10 milionë lekë. Sipas “News 24”, Rudolf Nikollaj, në momentet e para kur është shoqëruar ka deklaruar se: “Myslimanët duhet të ndëshkohen”. Mësohet se nga 5 të plagosurit, 4 kanë lënë spitalin, kurse një tjetër, 26- vjeçari Kleon Jaupaj i është nënshtruar një operacioni, pasi ka dëmtime në pjesën abdominale shumë pranë veshkës.
NGJARJA
Sulmi që ndodhi të hënën në xhaminë “Dine Hoxha”, ishte një ngjarje në kufijtë e një akti terrorist, por që në fakt deri tani nuk po rezulton i tillë. Duket më shumë si një ngjarje e kryer nga një person, që sipas të gjitha të dhënave, nisur edhe nga ato që thonë familjarët e tij, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Rudolf Nikollaj, një 34-vjeçar, familja e të cilit i përket fesë së krishterë, ndërsa ai vetë është konvertuar në mysliman, u fut dy ditë më parë në xhaminë “Dine Hoxha”, te Rruga e Kavajës në Tiranë, jo për t’u falur, por për të sulmuar besimtarët. Fillimisht ai goditi me thikë një besimtar që në fakt punonte edhe në picerinë aty pranë, me të cilin u përball në derë të xhamisë. Më pas u fut brenda duke plagosur edhe katër të tjerë, të gjithë të rinj, që po faleshin. Të tjerë besimtarë ndërhynë, duke arritur t’i heqin thikën nga dora e ta nxjerrin jashtë. Më pas, jashtë xhamisë, ai u neutralizua nga kalimtarë e besimtarë të tjerë, që “e arrestuan”, derisa aty mbërriti Policia.
TË PLAGOSURIT
Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se të hënën rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një objekti kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. “Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikollaj 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia. Të plagosurit, Donald Koçi, 35 vjeç, Saba Peposhi, 22 vjeç, Maringlen Konja, 24 vjeç, Kleon Jupaj, 26 vjeç dhe Amri Tolaj, 23 vjeç, u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës. Burimet thanë se katër prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën dhe pas ndihmës së parë në urgjencë janë shtruar në pavijon.
PLAGOSJA E MËPARSHME
Rudolf Nikollaj, 34-vjeçari nga Mati që u arrestua të hënën pas sulmit në xhami, ku plagosi 5 vetë, kishte qenë në kërkim policor deri para një jave, për një tjetër plagosje. Ai kërkohej nga Komisariati nr.3 në Tiranë, për një ngjarje të ndodhur më 10 mars, në rrugën “Kastriotët”, në kryeqytet, te terminali i autobusëve. Megjithatë, më 12 prill kërkimi policor ishte shuar, pasi kishte kaluar një muaj, siç parashikohet edhe në ligj. Nikollaj ishte denoncuar në Komisariatin nr.3 nga vetë personi që kishte plagosur me thikë në këmbë. Më konkretisht, mësohet se në rrugën “Kastriotët” ai kishte plagosur me thikë shtetasin Robert Kurti. Pas kallëzimit që kishte bërë i plagosuri, Nikollaj ishte shpallur në kërkim policor.