Ndiznin zjarre, arrestohen dy të rinj piromanë në Korçë

Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Korçës për zjarrëvënie të qëllimshme.

Ata dyshohet se kanë vendosur zjarrin në fshatin Gjonomadh, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.

Të arrestuarit janë Arbër Xhaxhamani 18 vjeç dhe Taulant Bardhollari, 22 vjeç.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Kujtojmë se numri i të arrestuarve për veprën penale të zjarrvënies së qëllimshme sa vjen e po rritet ditët e fundit.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasve A. Xh., 18 vjeç dhe T. B., 22 vjeç, banues në fshatin Gjonomadh, Korçë, pasi dyshohet se tek vendi i quajtur “Korija e fshatit” në Gjonomadh, këta shtetas, kanë djegur me zjarr një sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

 


Shtuar 13.08.2021 09:43