Një operacion për shembjen e një objekti pa leje, i cili po ndërtohej si “beach bar” në zonën e Karaburunit, u zhvillua pasditen e kësaj të mërkure. Në aksion morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro.
Struktura prej druri po ngrihej nga personat me inicialet O. Sh. dhe S. D. Ata ishin proceduar penalisht edhe më parë, ndërsa afati i vendosur për prishjen vullnetare të objektit kishte përfunduar.
Të lidhura
None found
Në kuadër të operacionit, policia arrestoi S. D., njërin prej ndërtuesve. Ndërkohë, ortaku i tij, O. Sh., u shpall në kërkim dhe autoritetet po punojnë për ta kapur.
Gjatë një prononcimi, Hita dhe Qendro u bënë thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin ndërtime pa leje, duke paralajmëruar se çdo shkelës do të përballet me forcën e ligjit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë po vijon hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të kenë lejuar ose dhënë leje në kundërshtim me ligjin.
