Gazsjellësi Trans Adriatik sipas planit fillestar të ndërtimit të tij parashikon që të zgjerojë kapacitetet e tij dhe kjo duhet të miratohet nga rregullatorët e vendeve ku janë të vendosura pikat ekzistuese ose të reja të ndërlidhjes.
Enti Rregullator i Energjisë njoftoi këtë të enjte se tashmë janë miratuar rregullat për ndarjen e kapaciteteve për zgjerimin e gazsjellësit.
“Autoritetet Rregullatore të Shqipërisë (ERE), Greqisë (RAE) dhe Italisë (ARERA) miratuan së bashku rregullat për fazën e parë detyruese të procesit të rritjes së kapacitetit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).
Procesi drejtohet në koordinim ndërmjet Operatorëve të Sistemit të Transmetimit fqinjë, TAP, SBAM Rete Gas dhe DESFA, sipas Rregullores (BE) 2017/459.
Ai synon shpërndarjen e kapaciteteve rritëse afatgjata në pikat ekzistuese ose të reja të ndërlidhjes (IP) përgjatë gjurmës së TAP dhe do të rrisë vëllimet e gazit të importuar në Europë.
Pikat e Interkonjeksionit në fjalë janë: Kipoi (TR – GR), Komotini (GR), Nea Mesimvria (GR), Kuçovë (AL), Relievi Rosckovec (AL), Fier (AL), dhe Melendugno (IT)”, bëri të ditur ERE.
Sipas njoftimit projekti i rritjes së kapacitetit parashikon katër nivele të mundshme zgjerimi në hyrje në Kipoi (minimum, i kufizuar, i pjesshëm dhe i plotë), në varësi të nivelit të rezervimit, duke çuar në një zgjerim të mundshëm të plotë deri në 27 MSm3/D.
“Faza e detyrueshme do të nisë më 14 nëntor dhe ofertat mund të dorëzohen në janar 2023. TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, që transporton gaz natyror në Europë nga fusha e Shah Deniz II në Azerbajxhan. Duke u lidhur me gazsjellësin Trans Anatolian në kufirin greko-turk, TAP kalon Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të dalë në breg në Italinë Jugore për tu lidhur me rrjetin Italian të gazit natyror”, thuhet në njoftim.
Gazsjellësi TAP nisi operimet tregtare në nëntor të vitit 2020. TAP kalon në tre shtete në Greqi në 550 kilometra, Shqipëri 215 kilometra, nën setin Adriatik 105 kilometra dhe në brigjet e Italisë 8 kilometra./REL