NATO me 31 anëtarë, nesër bashkohet zyrtarisht Finlanda

Finlanda do të bëhet zyrtarisht anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s të martën, ka thënë zyra e presidentit finlandez.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se Finlanda do t’i bashkohet aleancës nesër. Ai tha se të 30 anëtarët kanë miratuar tani pranimin e vendit.

Një ceremoni e ngritjes së flamurit do të zhvillohet nesër pasdite, e cila do të shënojë gjithashtu 74 vjetorin e aleancës, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel.

“Është vërtetë një ditë historike, është një ditë e madhe për aleancën”, tha ai.

Stoltenberg shtoi se masa do ta bëjë Finlandën “më të sigurt”.

Pak ditë më parëvendi nordik mori dritën jeshile nga Turqia, e cila aktualisht ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë në aleancë, me pretendimin se po strehon “terroristë” të Partisë Kurde, për tëcilët Ankaraja ka kërkuar ekstradim.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar në NATO disa muaj pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë. Finlanda ndan gjithashtu kufirin tokësor me Rusinë.


Shtuar 3.04.2023 13:16