Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër nuk ka lënë pa përmendur Kosovën, dhe vendosmërinë e saj për mos t’u bashkuar me këtë nismë për shkak të Serbisë.
Rama i ka bërë sërish thirrje Kosovës dhe vendeve të rajonit që të bëhen pjesë e “Balllkanit të Hapur”.
Sipas Ramës, konfliktet e të shkuarës zgjidhen më mirë duke u afruar me njëri – tjetrin.
Ai shtoi se në këtë nisme nuk fiton vetëm Serbia, por të gjitha vendet që janë pjesë e tij, duke zbuluar shifrat që Shqipëria ka fituar për shkak të Ballkanin të Hapur.
“Këtu do të jemi dhe sërish, njësoj si me grurin, do të provohet sa e vërtetë është që Ballkani i Hapur nuk është as i imi, asi i Vuçiç, as i Zaev apo Kovaçevski, as i Abazoviç, dhe as i askujt tjetër, por është i njerëzve, i familjeve. “Ballkani i Hapur” është i fermerëve shqiptarë. Kjo i thyen të gjitha llojet e pasqyrave të rreme, që janë ngritur kundër “Ballkanit të Hapur”.
Eksportet në përqindje të fermerëve, mes Shqipërisë dhe Serbisë, janë rritur 63%+. Kjo do të thotë se është një treg, ku fermerët tanë po shesin dhe po fitojnë. Kjo është përgjigje për ata që thonë se do shesë e do fitojë Serbia. Natyrisht se Serbia nuk ka hyrë këtu për të humbur, por këtu jemi të gjithë për të fituar me punë, bashkëpunim dhe liri lëvizjeje. 110% rritje në shifra turistë nga Serbia në Shqipëri, 51%+ nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri. Kush fiton nga kjo, Vuçiç që po i merr Shqipërisë detin, si ai bajlozi që doli nga uji? Apo fitojnë shqiptarët, aty ku turistët vijnë dhe paguajnë?
Zjarret. Ne kemi ndërtuar një mekanizëm sot që flasim dhe këtë verë do shihni provat, për të ndihmuar njëri-tjetrin me logjistikë, me mjete nga ajri kundër zjarri. Më mirë t’i lëmë të digjen pyjet, se sa të na ndihmojë shkaju? Unë besoj se sa më shumë të afrohemi, aq më shumë shanse ka për të zgjidhur konfliktet, edhe mes Serbisë e Kosovës. Të afrohemi sa më shumë, që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, tha Rama.