“M’u ofruan tre pozicione nga qeveria nuk pranova!” Adriatik Lapaj flet për protestën 100-ditore dhe akuzat penale

Pas 100 ditësh rezistencë në shesh, Adriatik Lapaj ka folur për Report TV, mbi përballjen e tij me sistemin politik dhe akuzat e ngritura ndaj tij. Ai thekson se procedimet penale nuk e trembin, por i konsideron si “dekorata” të aktivizmit publik. Ai shtoi se nuk ka qëllim për grusht shteti por të detyrojë qeverinë të tërhiqet.

“Për mua këto 14 vepra penale janë dekorata për aktivizimin tim publik. I vetmi rrezik që përbëj unë dhe ata si unë është rreziku ndaj të keqes dhe hajdutërisë së këtyre. Ne nuk jemi aty për të bërë grusht shteti, jemi aty për të imponuar një dorëheqje politike. Në 100 ditë ne nuk kemi thyer një lule aty, nuk kemi thyer një xham, nuk kemi bezdisur një qytetar.”- tha Lapaj.

Adriatik Lapaj ka kritikuar qeverinë për presion ndaj qytetarëve dhe aktivistëve, duke përmendur se çdo reagim politik shoqërohet me ndjekje penale apo kërcënime. Lapaj tha se është fakt që i janë ofruar tre poste në qeveri dhe se nuk ka pranuar, por e quajti jo etike të tregonte emra publikisht.

“Kam pasur një propozim nga ana e mazhorancës për të marrë tre poste. Ata nuk e kanë mohuar… kanë tre muaj që s’e mohojnë dhe ky është fakt. Të dërguarit e Edi Ramës. Nuk është etike në politikë që të them emra. Unë e kam sfiduar publikisht kryeministrin… të dalë dhe ta mohojë këtë gjë. Në këto nivele ka një etikë… ai që vjen si lajmës ruhet.”- deklaroi ai.

Lapaj ka theksuar se protesta synon një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira, jo marrjen e pushtetit me forcë.


Shtuar 17.03.2026 23:15