Moti i keq izolon katër fshatra në Libohovë, masivi i dherave bllokon rrugët kryesore

Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu, ka shkaktuar probleme serioze në Bashkinë e Libohovës, duke izoluar katër fshatra të zonës.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, shkak për izolimin janë bërë rrëshqitjet masive të dherave në zonën e Zagorisë, të cilat kanë bllokuar rrugën kryesore lidhëse të fshatrave Topovë, Lliar, Doshnicë dhe Zhej.

Si pasojë e këtyre rrëshqitjeve, janë dëmtuar edhe katër banesa në fshatin Zhej. Banorët shprehen të shqetësuar dhe i kanë bërë thirrje Bashkisë së Libohovës për ndihmë dhe ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.

Megjithatë, deri në këto momente, fshatrat vijojnë të jenë të izoluar dhe pa asnjë ndërhyrje nga strukturat përkatëse.


Shtuar 14.01.2026 17:52