Motër dhe vëlla përvetësuan pronën me vlerë 2.7 milionë euro në Himarë me dokumenta false, gjykata je vendimin

Policia e Vlorës ka arrestuar motër dhe vëlla nën akuzën e përvetësimit të pronës me dokumenta false.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vendosi sekuestrimin e 13.750m2 tokë e vlerësuar 2.750.000 euro, në fshatin Gjilek të Bashkisë Himarë, pasi nga hetimet u provua se është regjistruar pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara.

Pas hetimeve, gjykata caktoi masën ‘arrest me burg’ për shtetasin me inicialet E.M., dhe ‘arrest shtëpie’ për motrën e tij, shtetasen me inicialet L.M.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vendosi sekuestrimin e 13.750m2 tokë e vlerësuar 2.750.000 euro, në fshatin Gjilek të Bashkisë Himarë, pasi nga hetimet u provua se është regjistruar pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara. Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1051 të vitit 2021, me kërkesë të prokurorisë u vendos masa e sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasin E.M. si dhe masa e sigurimit“Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për shtetasen L.M.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit, rezultoi e provuar se këta shtetas plotësojnë elementët e veprës penale “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim si dhe “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/2, 190/2 dhe 287, paragrafi i 2 të K.Penal. Për regjistrimin e pronës shtetasja L.M., inicioi një proçes gjyqësor administrativ pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë, ku kërkoi regjistrimin e të gjithë sipërfaqes sipas dokumentit pronësor AMTP nr.9859. Në gjykimin administrativ, nga ana e shtetasve E.M. dhe L.M., janë përdorur dokumentet e falsifikuara, Formular nr.6 dhe AMTP.

Dokumentet e falsifikuara u përdorën në disa institucione nga ana e personave nën hetim, si; Këshillin e Qarkut Vlorë; Bashkinë Himarë; në procesin gjyqësor të zhvilluar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si dhe më pas pranë ish-ZVRPP Vlorë (sot ASHK). Nga hetimi u provua se, mbi pronën pas regjistrimit janë kryer veprime, ndarje, transaksione/shitje të shumta, duke kaluar pjesën më të madhe nga sipërfaqja totale 13.750m2, tek persona të tretë. Në kohën e kryerjes së veprimeve të mësipërme, shtetasi E.M. ka qenë në detyrën e topografit të Bashkisë Himarë.

Po kështu, nga hetimet rezultoi e provuar se pas regjistrimit pranë ish-ZVRPP Vlorë të sipërfaqes prej 13.700 m2, mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara. Një pjesë e kësaj prone ka mbetur në bashkëpronësi të shtetasve E.M., dhe L.M., Ndërsa nga sipërfaqja totale prej 13.750 m2, është shitur një sipërfaqe prej 7050 m2.


Shtuar 25.10.2023 11:46