Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas një pune disa mujore në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit ka arrestuar shtetasin M.D nga Vitomirica e Pejës, i nacionalitetit malazez, për shkak të dyshimit të bazuar për Krim i luftës kundër popullsisë civile, shkruan Gazeta Express.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:
Prishtinë, 27 qershor 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinion publik se, pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, sot, me datën 27.06.2022 ka arrestuar shtetasin M.D. nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor./express